Sibel Vezaj
09 Shkurt 2017•Përditësim: 10 Shkurt 2017
PRISHTINË (AA) - Në seancën e sotme plenare të Kuvendit të Kosovës u debatua për interpelancën lidhur me situatën e krijuar pas ngritjes së murit në veri të Mitrovicës, raporton Anadolu Agency (AA).
Kërkuesi i interpelancës, deputeti nga radhët e partisë opozitare Lëvizja Vetëvendosje, Rexhep Selimi tha se situata në komunat e veriut të Kosovës ka një dinamikë të vazhdueshme të përkeqësimit të gjendjes së sigurisë.
Ai theksoi se përkundër procesit të dialogut, për vite të shumta nuk është arritur shuarja e strukturave paralele në veri dhe sipas tij me marrëveshjet e arritura u bë edhe ndarja fizike e qytetit të Mitrovicës, “respektivisht të Kosovës”.
Ndërkaq, sipas Selimit rrënimi i murit në veri ka si çmim formimin e asociacionit të komunave me shumicë serbe. Selimi po ashtu foli për trenin e nisur nga Beogradi me mbishkrime nacionaliste, duke vënë në dukje se ka edhe një tren tjetër ilegal me linjën Kralevë-Mitrovicë, e cila udhëton pa licencën e institucioneve të Kosovës.
“Pas krejt kësaj situate të krijuar as treni nuk u dal, as muri nuk u rrënua. Në të vërtetë treni i linjës Beograd u ndal, por jo ai i Kralevës, që i bie që treni Serbi-Kosovë qarkullon ende pa licencën e institucioneve të Republikës së Kosovës. Në anën tjetër, u rrënua një mur por filloi një tjetër pas tij, e siç po shihet edhe muri që u rrënua edhe ai që po ndërtohet kanë të njëjtin qëllim, të jenë barrikadë dhe pengesë fizike për qarkullim kundrejt anës jugore të lumit Ibër”, tha Selimi.
Kurse kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa gjatë fjalimit të tij tha se problemet në veri do të zgjidhen në baza ligjore dhe me komunikim me qytetarët. Sipas tij, me sjelljen e përgjegjësisë shtetërore u ndal treni me parula provokuese dhe u arrit marrëveshja për rrënimin e murit dhe ndërtimin e sheshit.
Ai po ashtu vuri në dukje se ende po ekzistojnë dy probleme të cilat po e ngarkojnë situatën jo vetëm në veri por edhe në tërë Kosovën, të cilat sipas tij janë shtrirja e strukturave paralele serbe pothuajse si në komunat me shumicë serbe, ashtu edhe në ato me shumicë shqiptare në institucione shëndetësore dhe kompani publike si dhe ndikimi i drejtpërdrejt i Qeverisë së Serbisë në deputetët e “Listës Serbe”.
Sipas tij, normalizimi i marrëdhënieve me Serbinë ndërlidhet me shuarjen e plotë të strukturave paralele, me ndërprerjen e ushtrimit të ndikimit të Serbisë tek përfaqësuesit e institucioneve të Kosovës si dhe me pranimin e pavarësisë së Kosovës nga ana e Serbisë. Kryeministri po ashtu theksoi se gjendja në veri ka ndryshuar pozitivisht, si rezultat i drejtpërdrejt i dialogut në Bruksel, i cili sipas tij, nuk ka alternativë dhe se zhvillimet e fundit nuk mund t’i ndikojnë këto rezultate.
“Dialogu me Serbinë në mbështetje të BE-së dhe SHBA-ve zhvillohet në interes të Republikës së Kosovës, sepse Kosova po ballafaqohet me probleme që nga përfundimi i luftës të cilat nuk kanë alternativë tjetër të zgjidhjes përveç dialogut", tha tha Mustafa.
Zenun Pajaziti, shef i grupit parlamentar të partisë qeveritare Partia Demokratike e Kosovës (PDK) tha se është pozitive që muri u rrënua nga ata që e ndërtuan dhe kërkoi që zhvillimet e fundit në Kosovë të mos jenë axhendë e politikës ditore.
Ndërkaq, lidhur me dialogun, ai kërkoi unitetin e të gjithë spektrit politik, duke theksuar se dialogu nuk ka alternativeë dhe u bëri thirrje edhe deputetëve serbë që të kthehen në punën e tyre në institucinet e Kosovës.
“Është një anë pozitive se muri u rrënua nga vetë ata që e ndërtuan dhe nuk kishte nevojë që të bëheshin hapa të tjerë të njëanshëm nga institucionet e Republikës së Kosovës, siç ndodhi me ndalimin e trenit”, tha Pajaziti.
Ndërsa, deputetët e opozitës kritikuan procesin e dialogut, ku kryetari i Grupit parlamentar të AAK-së Pal Lekaj tha se dialogu në këtë format dhe në këtë mënyrë nuk i ka sjellë asgjë të mirë Kosovës. Sipas tij, opozita është për një dialog konstruktiv për normalizimin e marrëdhënieve për njohje reciproke dhe për një zhvilim ekonomik që shkon në favor të qytetarëve pa dallime.
Në fund të debatit Lëvizja Vetëvendosje do të propozojë një projekt-rezolutë, e cila sipas tyre do të ishte e nevojshme.
Ndryshe, interpelanca për gjendjen e krijuar në veri pas murit të ndërtuar ishte kërkuar në fillim të muajit dhjetor të vitit të kaluar, kurse muri u rrënua javën e kaluar, ditën e diel. Ndërkaq, dy ditë më pas në Mitrovicën Veriore filloi ndërtimi i konstruksionit të ri të dakorduar mes Prishtinës dhe administratës lokale të Mitrovicës Veriore, në vendin ku ishte shembur muri kontestues.