Figen Shaban
05 Shtator 2017•Përditësim: 06 Shtator 2017
PRISHTINË (AA) - Me rastin e 20-vjetorit të vdekjes dhe në një vjetorin e shenjtërimit të humanistes shqiptare Nënë Terezë, u bë shugurimi i Katedrales "Nënë Tereza” në Prishtinë, ku ceremonia e shugurimit u udhëhoq nga i dërguari i posaçëm i Papa Françeskut, kardinali shqiptar Ernest Simoni dhe Ipeshkvi i Kosovës, Imzot Dodë Gjergji, raporton Anadolu Agency (AA).
Brenda dhe jashtë Katedrales "Nënë Tereza" ishin mbledhur një numër i madh i besimtarëve dhe të ftuar, duke përfshirë edhe Presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi, ish-presidenten e Kosovës, Atifete Jahjaga, kryeministrin në largim, Isa Mustafa, kryetarin e Kuvendit të Maqedonisë, Talat Xhaferi, ministra, deputetë, si dhe përfaqësues të komuniteteve të tjera fetare.
Kardinali Ernest Simoni, i cili iu drejtua audiencës në gjuhën shqipe tha se Nënë Tereza është pasqyrë dhe shembull për gjithë njerëzimin. “Në këtë ditë duhet të lutemi, duhet ta lusim të madhin Zot për gjitha që na ka dhënë. Ata që kanë dhënë lëmoshë mos të mendojnë se është një gjë rasti, lëmosha është ndër virtytet më të fuqishme që ka feja”, tha Simoni.
Ndërsa Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi i cili mbajti një fjalim për nder të kësaj ceremonie, uroi që kjo katedrale të "qëndrojë si shtyllë e qytetarëve të Prishtinës dhe t'iu përkujtojë të gjithëve se kush ishte Nënë Terezë".
Ndër besimtarët të pranishëm në këtë ceremoni ishte edhe Greta Kaçinari nga Prishtina, e cila në një prononcim për AA tha se 5 shtatori në shumë vende të botës është shpallur si Dita e Nënë Terezës dhe si Dita e Vullnetit të Mirë.
"Kjo është një ditë e madhe jo vetëm për Kosovën, sepse Nënë Tereza është nëna e gjithë botës, e jona dhe e gjithë Ballkanit. E gjithë kjo lidhet me ndërmjetësimin, siç besojmë dhe unë besojë thellë se është një ndërmjetësim i posaçëm jo vetëm për kombin tonë, por edhe për të gjithë ata që ja kushtojnë jetën të gjithëve ", tha Kaçinari.
Edhe një tjetër qytetare e pranishme në këtë ceremoni, Vera Nikaj, theksoi se është një ditë shumë e lumtur. "Që një bijë e kombit shqiptar ka arritur të punojë gjatë gjithë jetës për punë humanitare, për të sëmurët, të varfërit. Çdo njeri që është i vetëdijshëm kërkon paqe, humanizëm, mirëkuptim, mirëqenie", thotë Nikaj.
Për shkak të ceremonisë së shugurimit kishte siguri të madhe policore rreth katedrales, ku edhe rrugët përreth katedrales ishin të bllokuara.