Sibel Vezaj
06 Prill 2017•Përditësim: 07 Prill 2017
PRISHTINË (AA) - Gjykata në Colmar të Francës për herë të tretë ka shtyrë vendimin lidhur me lirimin apo ekstradimin në Serbi të ish-kryeministrit të Kosovës, Ramush Haradinaj. Vendimi pritet të merret më 27 prill, transmeton Anadolu Agency (AA).
Pas seancës gjyqësore, Haradinaj në një deklaratë për media ka thënë se vendimi do të merret më 27 prill. Sipas tij, kërkesa për ekstradim është politike dhe abuzim.
“Vendimi është vendosur të merret më 27 prill. Deri atëherë do të presim edhe pak. E drejta do të fitojë”, tha Haradinaj.
Ai po ashtu shtoi se “Në vitin 2012 është konfirmuar se sa i pastër jam e juridiksionin e Serbisë nuk e njoh dhe nuk do ta njoh kurrë. Jemi ndarë prej tyre. Përgjigjen sa herë që e kërkojnë do ta marrin njëjtë siç e kanë marrë”.
Ndryshe, në seancën e fundit gjyqësore në Colmar të Francës, më 2 mars, për herë të dytë ishte shtyrë vendimi lidhur me lirimin ose ekstradimin e ish-kryeministrit të Kosovës dhe ish-udhëheqësit UÇK së, Ramush Haradinaj.
Ai më 4 janar ishte ndaluar nga autoritetet franceze, bazuar në një urdhërarrest të Serbisë të lëshuar në vitin 2004. Më 12 janar u lirua me kusht nga autoritetet franceze, kurse vendimi për të ishte shtyrë edhe në seancën e 9 shkurtit.
Paraprakisht, Haradinaj ishte arrestuar edhe në Slloveni në vitin 2015 në bazë të urdhërarrestit të njëjtë, ndërkohë që më pas ishte liruar.