Saimir Alija
23 Mars 2018•Përditësim: 24 Mars 2018
TIRANË (AA) - Në Tiranë sot është zhvilluar forumi "Gratë në shërbimin publik, zbatimi i të drejtave, realitetet dhe sfidat në vendimarrje", ku morën pjesë drejtues të lartë të Shqipërisë dhe përfaqësues të organizatave të shoqërisë civile që mbrojnë të drejtat e grave, raporton Anadolu Agency (AA).
I pranishëm në aktivitet, presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta, theksoi se gjatë karrierës së tij politike ka bashkëpunuar me shumë gra dhe vajza me integritet profesional dhe përkushtim shembullor.
Duke folur për reformën administrative, Meta tha se “Reforma në administratën publike ka një rëndësi madhore në procesin e integrimit evropian dhe është 'gur themeli' në krijimin e shtetit të së drejtës, në përmbushjen e reformave strukturore dhe në garantimin e mirëqeverisjes në interesin më të mirë të qytetarëve. Investimi në krijimin e një administrate publike të depolitizuar dhe profesionale duhet të jetë prioritet numër një dhe përmirësimi i saj duhet të jetë sfida e përditshme e mirëqeverisjes”.
Më tej gjatë fjalës së tij, presidenti Meta tha se angazhimi i grave në administratën publike, tashmë është një fakt i pamohueshëm emancipimi social në Shqipëri.
Presidenti Meta bëri një apel për institucionet, Kuvendin e Shqipërisë, shoqërinë civile, për botën akademike, dhe për sektorin privat, "që t'i japin prioritet më shumë në punën e tyre respektimit të lirive dhe të drejtave të grave dhe vajzave sidomos të kontribuojnë në fuqizimin social dhe ekonomik të tyre".
Duke folur për rëndësinë që ka promovimi i modeleve të grave dhe vajzave në politikën aktive, Meta tha se “Shpresoj që në zgjedhjet e ardhshme vendore të kemi më shumë kandidate të zonja për të garuar si kryetare bashkish apo për të qenë në drejtimin e këshillave bashkiake”.
Në forumin “Gratë në Shërbimin Publik” ishte e pranishme edhe ish-presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, e cila theksoi se "Si në Kosovë ashtu edhe në Shqipëri, por edhe në rajon, ne kemi shënuar progres sa i përket përfaqësimit të grave, posaçërisht në krijimin e kornizës ligjore që garanton qasjen dhe pjesëmarrjen e tyre të barabartë. Mirëpo ne kemi akoma shumë punë për të bërë sa i përket zbatimit të këtyre ligjeve, sidomos aty ku përfaqësimi i gruas vazhdon të jetë ende i ulët. Gratë nuk janë të përfaqësuara në mënyrë të barabartë në sektorin ekonomik, në fuqinë punëtore, në politikë, dhe pothuajse në çdo fushë tjetër të jetës publike dhe shoqërore", tha Jahjaga.