Fatjon Cuka
10 shkurt 2017•Përditësim: 10 shkurt 2017
TIRANË (AA)- Pas disa ditë kërkimesh janë gjetur trupat e pajetë të 3 minatorëve kinezë që u bllokuan pas një shpërthimi në një nga minierat e Bulqizës, në veri të Shqipërisë, transmeton Anadolu Agency (AA).
Grupet e ekspertëve të Repartit të Inspektim dhe Shpëtim Minierave së bashku me kompaninë konçesionare dhe nënkontraktorin kinez vazhduan për disa ditë operacionin për kërkimin e 3 minatorëve kinez që u bllokuan pas incidentit të së shtunës në minierën e Bulqizës, ndërsa trupat e pajetë të tyre janë gjetur në orët e mbrëmjes të enjtes.
Gjetja e trupave të pajetë është konfirmuar nga Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit Shqiptar.
Shpërthimi në minierën e kromit ndodhi nga rrjedhja e gazit metan në sasi të mëdha.
Në dy vitet e fundit në minierat e Shqipërisë ka patur ngjarje aksidentale, ku kanë humbur jetën disa minatorë.