Furkan Naci Top
21 Shtator 2017•Përditësim: 22 Shtator 2017
ATHINË (AA) - Punonjësit e kompanisë së minierave Eldorado Gold me qendër në Kanada kanë protestuar në Athinë të Greqisë pasi kompania ka vendosur të pezullojë aktivitetet e saj si rezultat i mosmarrëveshjes me qeverinë, raporton Anadolu Agency (AA).
Qindra punonjës të cilët punonë në një minierë ari në rajonin Halkidiki në afërsi të Selanikut në orët e para të mëngjesit janë mbledhur para Ministrisë së Energjisë dhe Mjedisit duke mbyllur qarkullimin në bulevardin Mesogeion.
Protestuesit kanë marshuar drejt ndërtesës së Kryeministrisë dhe Parlamentit pasi një grup nga punonjësit janë takuar me Sekretarin e Përgjithshëm të Ministrisë së Energjisë dhe Mjedisit, Mihalis Verroiopoulos.
Minatorët të cilët kanë vendosur edhe për një grevë dy ditore kanë mbajtur në duar pankarta me mbishkrimet "Po mineraleve, jo papunësisë" si dhe kanë bërë thirrje për dhënien e lejeve të nevojshme për menaxhimin.
Kompania Eldorado Gold, një nga investitorët më të rëndësishëm të huaj në Greqi, me arsyetimin se qeveria që prej një kohe të gjatë nuk i ka dhënë lejet e nevojshme ka vendosur pezullimin e aktiviteteve në vend duke nisur që nga 22 shtatori.
Ndërsa qeveria greke ka njoftuar se duke marrë parasysh shqetësimet e ruajtjes së natyrës ata janë duke kryer procesin në përputhje me normat e Bashkimit Evropian dhe se problemin do ta referojnë në arbitrazh.