Husameddin Gina
04 Dhjetor 2018•Përditësim: 05 Dhjetor 2018
SHKUP (АА) – Kryqi i Kuq i Republikës së Maqedonisë, sot shënoi 5 dhjetorin, Ditën Botërore të Vullnetarizmit që e kremtojnë mbi 17 milionë vullnetarë në 191 shtete në botë në kuadër të Lëvizjes së Kryqit të Kuq dhe Gjysmëhënës së Kuqe, raporton Anadolu Agency (AA).
Kryqi i Kuq i Maqedonisë me rastin e 5 dhjetorit – Ditës Botërore të Vullnetarizmit, organizoi konferencë për vullnetarizëm “Vullnetarët ndërtojnë bashkësi stabile”.
Në konferencë u theksua se Kryqi i Kuq i Maqedonisë, si lider në sektorin civil lidhur me posedimin e vullnetarëve me mbi 10.500 anëtarë dhe 7.500 vullnetarë aktivë, vazhdon të jetë aty ku gjithmonë ka më së shumti nevojë.
Në ngjarjen solemne, që u mbajt në hapësirat e Muzeut të Qytetit të Shkupit, u adresua edhe ministrja e Punës dhe Politikës Sociale, Milla Carovska, e cila rikujtoi se në botë shumë sisteme sociale funksionojnë në bazë të vullnetarëve.
“Ata japin kohën, njohuritë, përvojën, përkushtimin e tyre pa kompensim financiar vetëm për shkak se dëshirojnë të ndihmojnë. Një shoqëri pa solidaritet nuk mund të funksionojë, andaj pikërisht për atë konsideroj se vullnetarizmi si një hallkë në tërë sitemin është shumë e rëndësishme. Këto qytetarë janë për respekt të veçantë, sot u japim respekt të tillë”, tha Carovska.
Sekretari i Përgjithshëm i Kryqit të Kuq të Maqedonisë, Sait Saiti, tha se vullnetarët dhe vullnetarizmi paraqesin një kategori të njerëzve që posedojnë kapacitet dhe potencial të madh, para së gjithash njerëzor.
Ai theksoi se Kryqi i Kuq vitin e kaluar ka ndihmuar mbi 20 mijë njerëz që janë goditur nga pasoja e katastrofave dhe mbi 10 mijë familje të rrezikuara sociale. Po ashtu janë mbledhur edhe 55 njësi gjaku.
“Aktivizimi i tyre kontribuon për krijimin e bashkësisë më kohezive në shtet. E gjithë kjo ndihmon në distribuimin dhe përhapjen e solidaritetit mes njerëzve”, tha Saiti.
Vullnetarizmi është dhënia vullnetare e shërbimeve e inspiruar vetëm nga vullneti i lirë, e jo nga dëshira për fitim material apo financiar.