Furkan Abdula,Besar Ademi
19 Prill 2017•Përditësim: 19 Prill 2017
SHKUP (AA) – Në organizimin e Fondacionit Turk për Çështje Fetare dhe Unionit të Organizatave Turke të Shoqërisë Civile në Maqedoni (MATÜSİTEB), sot në Shkup u organizua program me rastin e Javës për Përkujtimin e Ditëlindjes së Profetit Muhamed (as), raporton Anadolu Agency (AA).
Programi në të cilin të pranishëm ishin përfaqësues të institucioneve turke në vend, përfaqësues të organizatave të ndryshme civile dhe qytetarë, filloi me leximin e Kur’anit.
Këshilltari për Çështje Fetare pranë Ambasadës së Turqisë në Shkup, Murat Alkan, në fjalën e tij rreth rëndësisë së programit, theksoi se çdo vit organizojnë këtë program për ta përkujtuar dhe kuptuar Profetin Muhamed (as).
Alkan tha se programet në kuadër të Drejtorisë Turke të Çështjeve Fetare çdo vit realizohen mbi tema të ndryshme. “Kryetari i Çështjeve Fetare çdo vit cakton një temë në lidhje me programin e javës së përkujtimit të Profetit. Nevojitet që të diskutohet mbi tema për të cilat kemi nevojë. Tema e këtij viti është Profeti Muhamed (as) dhe Shoqëria e Besueshme. Siç dihet, një nga cilësitë më të rëndësishme të Profetit Muhamed (as), si para se të ishte profet, njashtu edhe pasi u bë profet, ishte besueshmëria”, tha Alkan.
Nga ana tjetër, Erdal Atalay nga Drejtoria Turke e Çështjeve Fetare, duke theksuar se gjenden në Shkup me rastin e Programit të Javës për Përkujtimin e Ditëlindjes së Profetit Muhamed (as), shprehu urimet e tij me këtë rast.
“Me këtë rast, të gjithë vëllezërve të mi në Maqedoni, vëllezërve muslimanë, qofshin shqiptarë, maqedonas apo turq, ua uroj sërish nga zemra ditëlindjen e Profetit (as)”, theksoi Atalay.
Ndërkaq, Hüsrev Emin, kryetari i MATÜSİTEB, tha se leximi i Kur’anit dhe ilahitë kanë pasuruar programin, duke shtuar se programi i Ditëlindjes së Profetit Muhamed (as) do të vazhdojë edhe nesër dhe pasnesër me aktivitete që do të organizohen edhe në qytete të tjera të Maqedonisë.
Pas fjalimeve dhe leximit të Kur’anit, programi përfundoi me interpretimin e ilahive.