Besar Ademi
01 Mars 2017•Përditësim: 01 Mars 2017
SHKUP (AA) – Me iniciativë të Shoqatës “Për Maqedoni të bashkuar”, mijëra qytetarë edhe sonte marshuan rrugëve të qytetit të Shkupit për t’i dhënë mbështetje presidentit Gjorge Ivanov, i cili më herët deklaroi se nuk do të dorëzojë mandatin për formimin e qeverisë së re çdo kujt që negocion për platforma të vendeve të huaja, raporton Anadolu Agency (AA).
Marshi protestues filloi nga godina e Qeverisë së Republikës së Maqedonisë, në drejtim të Kuvendit dhe përfundoi para selisë së Lidhjes Social Demokratike të Maqedonisë (LSDM), ku kërkuan që ky subjekt politik të mos e pranojë platformën shqiptare, e cila sipas tyre, dëmton sovranitetin dhe pavarësinë e shtetit.
Protesta përfundoi në mënyrë paqësore, ndërkohë që organizatorët paralajmëruan se do të vazhdojnë të protestojnë edhe ditëve në vijim deri sa të përmbushen kërkesat e tyre, përfshirë edhe refuzimin e Ligjit të dygjuhësisë në tërë territorin e vendit, e cila sipas tyre, do të çojë Maqedoninë drejt ridefinimit të saj.
Edhe pse organizatorët vazhdimisht apelojnë që në protestë të mos shfaqen simbole etnike apo kombëtare, nuk mungojnë brohoritjet dhe simbolet nacionaliste ndaj popullit shqiptar.
Më herët, presidenti Gjorge Ivanov deklaroi se Maqedonia pas zgjedhjeve të 11 dhjetorit u ballafaqua me një surprizë të pakëndshme si pasojë e një platforme politike paszgjedhore të përgatitur nga një vend i huaj, përmbajtja e së cilës sipas tij, është jashtë Kushtetutës dhe Marrëveshjes së Ohrit, si dhe kërcënon karakterin unitar, sovranitetin dhe pavarësinë e Maqedonisë.
Platforma e përbashkët mes subjekteve politike shqiptare në Maqedoni u arrit pas zgjedhjeve të parakohshme parlamentare të 11 dhjetorit të vitit të kaluar, me ndërmjetësimin e kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama.
Përmes kësaj platforme të përbashkët ku përfshihen disa kërkesa për të drejtat e shqiptarëve në Maqedoni, liderët shqiptarë zotohen se nuk do të marrin pjesë në Qeverinë e re të Maqedonisë, nëse nuk zbatohen kërkesat e theksuara në të.