Ivana Ramadanova
26 Dhjetor 2017•Përditësim: 27 Dhjetor 2017
SHKUP (АА) – Rrjeti nacional kundër dhunës mbi gruan dhe dhunës familjare prezantoi sot në Shkup të dhënat e studimit me titull “Studim për gamën e formave të ndryshme të dhunës seksuale në Republikën e Maqedonisë”, raporton Anadolu Agency (AA).
Elena Dimushevska nga Rrjeti nacional kundër dhunës mbi gruan dhe dhunës familjare, tha se studimi në fjalë është zbatuar në mënyrë që të ketë një pasqyrë më të qartë se sa kjo dhunë njihet në Maqedoni dhe si reagohet në raste të tilla.
"Të dhënat e studimit të kryer përmes intervistave dhe grupeve të fokusit flasin për një mungesë të theksuar të ndihmës për viktimat, si dhe për mungesë të organizatave qytetare të specializuara për këtë problematikë. Viktimat e dhunës seksuale marrin ndihmë nga organizatat që merren me dhunën në familje të cilat nuk kanë njohuri të hollësishme dhe ekspertizë për të ofruar ndihmë në raste të dhunës seksuale, sidomos në rastet e përdhunimeve”, tha Dimushevska.
Lubka Trajanovska nga OJQ Hera, tha se të dhënat janë përpiluar nga informacione të marra nga institucionet e shtetit, por edhe përmes një pyetësori online dhe intervistave.
"Çdo e treta e anketuar nga pyetësori online ka qenë viktimë e ndonjë forme të dhunës seksuale. Madje 123 gra, ose 3 për qind nga numri i përgjithshëm i të anketuarave kanë thënë se janë përdhunuar. Në mënyrë shtesë, 15 gra kanë thënë se kanë fshehur përdhunimin e tyre”, tha Trajanovska.
Rezultatet e pyetësorit online thonë se forma më e përhapur e dhunës seksuale është sulmi seksual, ndërsa ngacmimi seksual në vendin e punës është nga rastet që më së paku denoncohet.
Në studim thuhet se, Ministria për Punë dhe Politikë Sociale nuk ka themeluar protokolle për përballje me viktimat e dhunës seksuale, ndërsa punonjësit shëndetësor nuk janë të arsimuar në nivelin e duhur për tu përballur me këto viktima.
Për anketën u përdor një pyetësor online mbi qëndrimet dhe përvojat e qytetarëve në fushën e dhunës seksuale, në të cilën janë përgjigjur 5.136 të anketuar, nga të cilët 745 meshkuj dhe 4.391 gra.