Senada Ibraimova
15 Shkurt 2017•Përditësim: 16 Shkurt 2017
SHKUP (АА) – Lidhja e Odave Ekonomike të Maqedonisë (LOEM) në bashkëpunim me Shoqatën e Grave Afariste në Maqedoni, si dhe Organizata afariste botërore në Maqedoni, sot prezantoi platformën globale të grave lidere të sektorit privat dhe publik, përmes së cilës për herë të parë nga vendi do të përfshihen gra lidere ”, raporton Anadolu Agency (AA).
Siç deklaruan nga LOEM, kjo platformë globale bashkon gratë lidere botërore nga pesë kontinente të sferave të ndryshme, politikë, ekonomi, diplomaci, sipërmarrësi dhe gazetari.
Drejtori operativ i LOEM, Aleksandar Zarkov, theksoi se qëllimi primar i kësaj platforme është realizimi i dialogut ndërkombëtar për avancimin e lidershipit femëror dhe krijimin e politikave strategjike për zhvillim ekonomik.
“Shembuj relevant dhe të suksesshëm për gratë në pozita lidere shohim nga kandidatja për president të Amerikës, gruaja kancelare e Gjermanisë dhe gruaja presidente në Kroaci”, tha Zarkov.
Platforma do të promovohet në samitin e parë botëror të grave lidere në Maqedoni “2017 Global Women Liders Samit”, i cili do të mbahet në Shkup më 17 dhe 18 shkurt të vitit 2017.
Në këtë samit, do të marrin pjesë mbi 40 panelistë, gra eminente lidere, si dhe mbi 300 pjesëmarrës prej pesë kontinenteve, korit diplomatik, etj.