Dzihat Aliju
20 Dhjetor 2017•Përditësim: 21 Dhjetor 2017
SHKUP (AA) – Me rastin e Ditës së Arsimit në Gjuhën Turke në Maqedoni, që shënohet më 21 dhjetor, në Shkup u organizua paneli "Shkupjani Jahja Kemal Bejatli në vitin e 133-të të lindjes", raporton Anadolu Agency (AA).
Në panelin e organizuar nga Unioni i Organizatave Turke të Shoqërisë Civile në Maqedoni (MATUSITEB) me mbështetje të Agjencisë Turke për Bashkëpunim dhe Koordinim (TIKA), morën pjesë përfaqësues të organizatave dhe institucioneve turke në vend dhe shumë të ftuar.
Kryetari i MATUSITEB-it, Husrev Emin, në një deklaratë për gazetarët para aktivitetit tha se pranimi i 21 dhjetorit si festë zyrtare në vitin 2007 ishte një pikë kthese për turqit në këtë vend.
Ai theksoi se kjo ditë prej dhjetë vitesh është dëshmia më e madhe e ekzistencës së turqve të Maqedonisë.
Emin tha se shënimin e festës do ta fillojnë me panelin e organizuar, me pjesëmarrje profesorësh të ardhur nga Turqia, në mënyrë që të njihet më mirë Jahja Kemal Bejatliu.
"Shpresoj që profesorët do të përpiqen ta shpjegojnë Jahja Kemalin me format, drejtimet dhe karakterin e tij të dalluar", tha Emin.
Ndërkaq, Yakup Çelik, kryetari i departamentit të Gjuhës dhe Letërsisë Turke në Universitetin Yıldız Teknik të Stambollit, i cili kishte përgatitur prezantim për panelin, tha se Jahja Kemal është një poet dhe menditar i cili ka ngritur vetëdijen në shoqërinë turke që vitet e epokës kushtetuese.
Duke folur për prezantimin e tij në kuadër të panelit, Çelik tha: "Gjatë prezantimit, do të përpiqem të shpjegoj se si shfaqet në veprat e Jahja Kemalit ndjenja nacional romantike, çfarë është mendimi historik, si doli në pah dhe si Jahja Kemali e shpjegonte këtë. Këtë do të përpiqem ta shpjegoj jo vetëm në poezitë e tij, por në të gjitha veprat".