Furkan Abdula
09 qershor 2018•Përditësim: 09 qershor 2018
SHKUP (AA) - Në organizim të Bashkësisë Fetare Islame të Maqedonisë (BFI), në xhaminë e Mustafa Pashës në Shkup u mbajt program i leximit të Kur'anit, raporton Anadolu Agency (AA).
Në program morën pjesë myftiu i Shkupit, Qenan Ismaili, Këshilltari i Shërbimeve Fetare pranë Ambasadës së Turqisë në Shkup, Murat Alkan, hoxhallarë dhe hafëzllarë të ndryshëm, ndërsa interesim shfaqi edhe popullata e Shkupit.
Besimtarët muslimanë të cilët mbushën xhaminë për namazin e jacisë dhe teravisë, kishin rastin që pas namazit të dëgjonin lexim Kur'ani nga hafëzllarë nga Maqedonia, Turqia dhe Kosova.

Ismaili, në fjalën e tij tha se hafëzllarët përçojnë Kur'anin në mënyrën më të mirë me zërin e tyre.
"Besimtari e gjen qetësinë atëherë kur e degjon Kur'anin. Jo vetëm se e dëgjon, besimtari edhe e përjeton Kur'anin", tha Ismaili.
Ndërkaq, Alkan theksoi se në këtë natë të Ramazanit që është muaj i Kur'anit, u organizua një program i mirë, duke shtuar se në Turqi është botuar vepra "Përmbledhje e haditheve" me shtatë vëllime, e cila është përkthyer në shumë gjuhë, përfshirë gjuhën shqipe.
"Si rezultat i një punimi të përbashkët me Bashkësinë Islame, të gjitha xhamitë duhet të pajisen me të. Ne kemi nënshkruar një marrëveshje për të dorëzuar nga një set të kësaj vepre me shtatë vëllime, në mënyrë që edhe punonjësit e xhamive, edhe xhemati të përfitojnë", tha Alkan.
Alkan i dhuroi myftiut Ismaili dhe xhamisë së Mustafa Pashës veprën "Përmbledhje e haditheve".