Bekim Laci
26 Tetor 2017•Përditësim: 27 Tetor 2017
SHKUP (AA) - Këmbimi i njohurive dhe përvojave të ekspertëve vendor dhe ndërkombëtar nga lëmi i sigurimit publik dhe atij privat, për t'u bërë ballë sfidave me të cilat përballet sigurimi privat, është tema e konferencës ndërkombëtare “Siguria private dhe publike bashkëpunim dhe partneritet” e cila po mbahet në Shkup në kuadër të fushatës “Ditët e sigurimit privat 2017”, raporton Anadolu Agency (AA).
Ministri i Punëve të Brendshme të Maqedonisë, Oliver Spasovski në fjalimin e tij tha se sigurimi privat tashmë është etabluar në mënyrë cilësore duke ndjekur trendet bashkëkohore.
Sipas tij, në vend ka gjithsej 136 subjekte juridike të cilat kanë licenca për shërbimet e sigurimit të personave dhe pronës, 60 subjekte kanë licenca vetëm për sigurim privat teknik si dhe 131 subjekte që kanë licenca për sigurim në bazë të nevojave personale që flasin mjaft për përhapjen që ka ky segment.
Spasovski tha më tej se niveli i bashkëpunimit të MPB-së me Odën e Republikës së Maqedonisë për Sigurim Privat është në nivel të kënaqëshëm, meqë ndajnë një sferë të përbashkët të veprimit të tyre, mirëpo dinamika e jetës shoqërore, imponon nevojën e shtrirjes së këtij bashkëpunimi akoma më shumë.
“Nga aspekti i MPB-së e cila në të kaluarën ka demonstruar transparencën e saj dhe bashkëpunimin sidomos me ORMSP-në, e cila definon nevojën dhe qëllimet e kësaj fushe, është i një rëndësie të veçantë thellimi dhe avancimi i bashkëpunimit të deritanishëm në drejtim të një funskionaliteti më efektiv në punën tonë të përbashkët. MPB në cilësi të regullatorit kompetent të kësaj lëmie ka interesin e saj që përveq të qënit në trend me aktivitetet e sigurimit, në të njëjtën kohë të detektojë format e bashkëpunimit të cilat do të ishin në interesin e sigurisë publike por edhe asaj private”, tha Spasovski.
Ai kërkoi mbindërtim të koncepteve të reja të bashkëpunimit sidomos në fushën e komunimimit të ndërjellë, të cilës do t'i paraprinte një skenim i situatës nga ana e ekspertëve, siç është debate i sotëm që do të zhvillohet në Shkup.
Kryetarja e Odës së Republikës së Maqedonisë për Sigurim Privat (ORMSP), Verica Millevska nga ana e saj tha se puna 20 vjeçare e Odës, kërkon që sistemi i punës së tyre gjithmonë të mbindërtohet me përvoja të reja duke u profesionalizuar akoma më shumë.
Sipas saj, procesi i profesionalizimit është një proces i cili mbindërtohet gjatë tërë kohës, por gatishmëria e sigurimit privat për të marrë mbi vete përgjegjësinë e sigurimit, lidhet me procesin e edukimit të vazhdueshëm për t'u bërë garantues i sigurimit.
“Procesi i mbindërtimit dhe pofesionalizimit në sektorin e sigurimit privat është një temë aktuale edhe në rrafsh global, vlerat, standardet dhe trendet tashmë janë internacionalizuar dhe nga këtu ORMSP me një vëmendje të veçantë ndjek proceset duke mbajtur kontakte të afërta dhe intensive me kompanitë për sigurim privat”, tha ajo.
Dekani i Fakultetit të Sigurimit, Nikoll Dujovski, nën patronazhin e të cilit mbahet konferenca e sotme, mes tjerash tha se sigurimi privat dhe ai publik mund të zbatohet vetëm përmes lidhjes së institucioneve siç janë MBP dhe ORMSP por pa përjashtuar sferën akademike dhe në veçanti përvojat e huaja të cilat janë të mirëseardhura.
Gjatë ditës, përveç ligjëruesve vendor, me përvojat e tyre mbi temën e sigurimit privat dhe publik do të flasin ekspertë nga Belgjika, Norvegjia, Rumania, Sllovenia dhe Kroacia.
Konferenca organizohet çdo vit nga Oda e Republikës së Maqedonisë për Sigurim Privat (ORMSP) me qëllim që të promovojë këtë veprimtari.