Ivana Ramadanova
11 Korrik 2017•Përditësim: 12 Korrik 2017
SHKUP (АА) – Shefi i diplomacisë së Maqedonisë Nikolla Dimitrov sot në Shkup ishte nikoqir i ministres së Punëve të Jashtme të Australisë, Julie Bishop, raporton Anadolu Agency (AA). Pas takimit kokë më kokë, të dy ministrat mbajtën konferencë të përbashkët shtypi në të cilën vlerësuan se potenciali për bashkëpunim mes Maqedonisë dhe Australisë është i madh dhe se vizita e sotme e parë e ministres australiane të Punëve të Jashtme në Maqedonisë është fillim i mirë që ai të fillojë të shfrytëzohet.
Ministri Dimitrov theksoi se kjo është vizita e parë e një ministri të Australisë që nga shpallja e pavarësisë së Maqedonisë në vitin 1991.
“Ka potencial të madh për zhvillimin e marrëdhënieve bilaterale dhe do ta shfrytëzojmë këtë vizitë dhe këtë vëmendje që e fiton rajoni si një fillim të shfrytëzimit të këtij potenciali. Shpresojmë se kjo është vetëm një fillim. Duam të kemi takime të rregullta në nivel ministror dhe më të lartë mes Republikës së Maqedonisë dhe Australisë, ndoshta jo të shpeshta duke marrë parasysh realitetin e gjeografisë”, tha Dimitrov.
Ai potencoi se një pjesë të rëndësishme në bisedimet i kanë kushtuar pikërisht diasporës maqedonase në Australi si një urë bashkëpunimi mes dy dy vendeve.
Nga ana tjetër Bishop tha se ka kënaqësi të veçantë që është e pranishme në Maqedoni në kohën kur qytetarët kanë pritje të mëdha, kur është formuar Qeveria e re dhe kur ky vend po hap faqe të re dhe kapitull të ri.
“Vendi hapi kapitull të ri dhe Australia ju inkurajon në zbatimin e të gjitha detyrave që janë vendosur në axhendën, reformat ekonomike, përpjekjet për demokraci, vlerat demokratike, për sundimin e së drejtës dhe të drejtat e njeriut, zero tolerancë për korrupsion. Duhet mbështetur përpjekjet në këto qëllime dhe do të bëjmë çmos që t’u nxisim në përpjekjet tuaja”, tha Bishop.
Shefat e diplomacive u përqendruan edhe në mundësinë për rritjen e bashkëpunimit ekonomik, shkëmbimit tregtar mes dy vendeve, si dhe për sfidat globale siç janë kriza me migrantët dhe refugjatët, lufta kundër terrorizmit dhe përpjekjet e përbashkëta të cilat mund t’i bëjnë dy vendet si pjesë e koalicionit kundër DEASH-it.
Ministrja australiane Bishop në Shkup sot pasdite do të ketë takim edhe me kryetarin e Kuvendit të Maqedonisë, Talat Xhaferi.