BALLKANI

Ruçi: Nga hapja e negociatave fiton Shqipëria

"Nga hapja e negociatave nuk fiton as qeveria, as opozita, fitojnë të gjithë, fiton Shqipëria. Por që të fitojnë të gjithë, duhet të kontribuojmë të gjithë"

Fatjon Cuka  | 04.09.2018 - Përdıtësım : 04.09.2018
Ruçi: Nga hapja e negociatave fiton Shqipëria Foto: Olsi Shehu / AA

Tiranë

TIRANË (AA) - Kryetari i Kuvendit të Shqipërisë, Gramoz Ruçi, ka deklaruar se sesioni i ri parlamentar do të përqendrohet në fuqizimin dhe rolin mbikëqyrës të Kuvendit për çështjet e integrimit të vendit në Bashkimin Evropian (BE), raporton Anadolu Agency (AA).

Ruçi, gjatë një bashkëbisedimi me gazetarët ka folur rreth arritjeve dhe problematikave të sesionit të kaluar parlamentar, si dhe për objektivat e sesionit të ri, duke u ndalur në disa çështje, si në procesin e hapjes së negociatave mes Shqipërisë dhe Bashkimit Evropian, vazhdimin e zbatimit të reformës në drejtësi, si dhe në hartimin dhe miratimin e reformës zgjedhore.

Kryeparlamentari i Shqipërisë theksoi se gjatë sesionit të kaluar roli i Kuvendit është forcuar dukshëm.

Duke folur për objektivat prioritare të sesionit të ri parlamentar, Ruçi tha se, "Iu kam bërë thirrje grupeve parlamentare që të lënë mënjanë luftën e tyre elektorale, për ta ndarë atë nga beteja e përbashkët për integrimin e Shqipërisë në BE. Ylli polar duhet të jetë hapja e negociatave. Nga hapja e negociatave nuk fiton as qeveria, as opozita, fitojnë të gjithë, fiton Shqipëria. Por që të fitojnë të gjithë, duhet të kontribuojmë të gjithë”.

Sipas tij, duke u nisur nga sfidat që ka përpara Shqipëria, veprimtaria e Kuvendit gjatë sesionit të ri do të përqendrohet në disa aspekte, veçanërisht fuqizimi dhe roli mbikëqyrës i Kuvendit për çështjet e integrimit evropian.

"Kuvendi ka hartuar tashmë një plan veprimi në zbatim të rekomandimeve të Komisionit Evropian si edhe përmirësimit të performancës sipas standardeve të larta demokratike. Shtylla kryesore e reformës në drejtësi do të jetë vazhdimi i procesit të vetingut”, theksoi kryetari i Kuvendit të Shqipërisë.

Një objektiv tjetër i sesionit të ri parlamentar, sipas Ruçit, do të jetë përfundimi i reformës zgjedhore, përmes hartimit dhe miratimit të ndryshimeve në kodin zgjedhor.

Sesioni i tretë i Legjislaturës së 9-të të Kuvendit të Shqipërisë u hap më 3 shtator, ku kryeparlamentaru Ruçi gjatë fjalës së tij theksoi se veprimtaria legjislative do të sigurojë përputhshmërinë në përmbajtje dhe cilësi të legjislacionit të Shqipërisë me atë të BE-së.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
Tema relevante
Bu haberi paylaşın