Fatjon Cuka
09 Tetor 2018•Përditësim: 09 Tetor 2018
TIRANË (AA) - Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, gjatë një konference për mediat njoftoi ndryshimet ligjore që do të bëhen për aktivitetin e lojërave të fatit, raporton Anadolu Agency (AA).
Rama tha se, duke nisur nga data 31 dhjetor e këtij viti do të pushojnë së funksionari të gjitha kazinotë elektronike.
“Ndryshimi i sotëm përfshin edhe bastet sportive, si dhe çdo lloj basti për çdo garë të ashtuquajtur në pistë, me kuaj, me qen, apo me çdo lloj skllavi të faunës shqiptare. Ndërkohë po punohet për regjimin e ri të licencimit dhe të kontrollit të kësaj veprimtarie në distancë, pra, nëpërmjet internetit dhe brenda po këtij afati, 31 dhjetorit, ne do të kemi një regjim të ri gati”, u shpreh Rama.
Rama shtoi më tej se “Në territorin e Republikës së Shqipërisë nga 1 janari nuk do ngrihet më asnjë qepen për baste dhe ashtu siç është përcaktuar në ligjin ekzistues nuk do ngrihet më asnjë qepen për kazino elektronike në asnjë zonë të banuar në Shqipëri”.
Kryeministri i Shqipërisë tha gjithashtu se qeveria ka pezulluar veprimtarinë e Autoritetit të Mbikëqyrjes së Lojërave të Fatit, i cili deri në 31 dhjetor do të transformohet për të funksionuar si mbikëqyrës me rregullat e reja.
Ndërkohë Rama theksoi se nga ana tjetër po punohet për të zbatuar dhe vendimin e heqjes përfundimtare të celularëve nga ambientet e shkollës për nxënësit dhe për mësuesit.
Rama u shpreh gjithashtu se është vendosur të ndërmarrin një ndryshim ligjor për të dyshuarit, apo për të dënuarit për përfshirje në krim të organizuar, apo dhe organizata terroriste, të cilët do t’i nënshtrohen një regjimi të ri, sipas tij, shumë të rreptë, izolimi dhe monitorimi.