Sibel Vezaj
10 Mars 2017•Përditësim: 11 Mars 2017
PRISHTINË (AA) - Komisioni rajonal për vërtetimin e fakteve për krimet e luftës dhe shkeljet e tjera të rënda të të drejtave të njeriut të kryera në ish-Republikën Socialiste Federative të Jugosllavisë nga 1 janari 1991 deri më 31 dhjetor 2011 (KOMRA) sot organizoi konferencë për media me temën “Bllokimi i ballafaqimit me të kaluarën si dhe i procesit të KOMRA-së”, raporton Anadolu Agency (AA).
Natasha Kandiq, koordinatore e Koalicionit për KOMRA gjatë fjalimit të saj theksoi se Serbia ka bërë një përparim të madh me formimin e Gjykatës për Krime Lufte, ku ka pasur aktakuza dhe gjykime, mirëpo me kalimin e kohës sipas saj ato janë shuar. Sipas saj këto kanë bërë që familjet e viktimave dhe dëshmitarët të humbin besimin ndaj institucioneve të Serbisë.
Kandiq komentoi edhe kërkesën e Bakir Izetbegoviçit për rishikimin e vendimit për gjenocid nga ana e Bosnje Hercegovinës kundër Serbisë në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë në Hagë, duke thënë se kërkesa e tij është pritur me një mohim të madh.
“Kërkesa është vetëm një veprim i projektuar gjyqësor për t’i zgjidhur mosmarrëveshjet ndërmjet shteteve, dhe në qoftë se me të vërtetë ekziston një ngadalësim atëherë ky ngadalësim është në rastin në lidhje me gjenocidin në Bosnje dhe Hercegovinë. Shumë mirë do të kishte qenë nëse do të kishte ardhur deri te ajo që gjykata të kishte dhënë fund në atë se a ka të dhëna të reja dhe a është Serbia e përfshirë drejtpërdrejt në gjenocidin e ndodhur në Bosnje dhe Hercegovinë, ose të mbetet vendimi që Serbia është përgjegjëse për mosndalimin dhe mosndëshkimin”, tha Kandiq.
Natasha Kandiq po ashtu vlerësoi se ngritja e aktakuzës ndaj Ramush Haradinajt është një veprim politik , por sipas saj, duhet t’i lihet gjykatës për të vlerësuar se prapa urdhërarrestit ka arsye politike.
Ajo po ashtu foli për iniciativën e presidentit Thaçi për themelimin e komisionit për pajtim dhe të vërtetën duke vlerësuar se kjo mund të jetë shumë me rëndësi nëse nga ajo përfitojnë të gjitha komunitetet që jetojnë në Kosovë.
“Viktimat e luftës në Kosovë, ato deri në vitin 1999 dhe pas qershorit të vitit 1999 kanë trajtime të ndryshme. Viktimat shqiptarë janë pranuar në Kosovë, por do të ishte dashur që ata të pranohen edhe në Serbi, prej nga vijnë njësitë ushtarake, urdhër dhënësit e krimeve. Për sa i përket viktimave serbe, shtrohet pyetja se a dëshirojnë familjet e viktimave nga Serbia të përfshihen në punën e komisionit lokal”, tha Kandiq, duke theksuar rëndësinë e këtij komisioni rajonal.
Kurse, gazetari Adriatik Kelmendi, avokues publik të Nismës për KOMRA në Kosovë tha se përkundër iniciativave për t’u marrë me drejtësinë e së kaluarës, ende nuk ka ndonjë pajtueshmëri lidhur se çfarë ka ndodhur gjatë luftës, ku theksoi se secili shtet po merret me "anën e tyre për viktimat". Ai po ashtu shtoi se përkundër asaj që kanë kaluar 6 vite prej dialogut të normalizimit të marrëdhënieve në Bruksel, asnjëherë nuk është folur për çështjen e të pagjeturve.
“Unë besoj dhe në bazë të gjithë atyre që kemi gjetur deri më sot se çfarë ka ndodhur me viktimat e luftës në Kosovë ose çfarë ka ndodhur me të pagjeturit, ku janë ato dhe a ka varreza masive përgjigjen mund ta ketë Beogradi, siç mund të ketë përgjigje për individët që kanë humbur që janë jo-shqiptarë, ku përgjigjja mund të jetë brenda Kosovës”, tha Kelmendi.
Ndryshe, një konferencë e tillë dje është mbajtur edhe në Beograd, kurse javën e ardhshme do të organizohet në Zagreb dhe Sarajevë.