Fatjon Cuka
10 Mars 2017•Përditësim: 10 Mars 2017
TIRANË (AA) - Ministri i Financave i Shqipërisë, Arben Ahmetaj dhe ambasadori i Italisë në Tiranë, Alberto Cutillo, gjatë një aktiviteti kanë prezantuar projektet fituese në kuadër të thirrjes së pestë të Programit Italo-Shqiptar të Konvertimit të Borxhit (IADSA), raporton Anadolu Agency (AA).
Prezent në këtë aktivitet ishin edhe kryetarët e bashkive që kanë përfituar financimin e projekteve, ku 15 bashki janë shpallur fituese të projekteve në fjalë.
Gjatë fjalës së tij ministri i Financave, Arben Ahmetaj, u shpreh se ky program ka kontribuar pë disa sektorë të vendit, si për arsimin, turizmin, etj.
"Në kuadër të programit, impakti i më shumë se 15 milionë eurove të investuara deri tani ka sjellë një ndryshim në shumë kontekste në nivel lokal. Sot falë këtij programi, disa mijëra nxënës mësojnë në shkolla me kushte bashkëkohore, turizmi ka gjetur mbështetje nga disa ndërhyrje në zona të ndryshme të vendit, komunitetet në nevojë kanë gjetur përgjigje për problemet sociale. Kjo ka qenë një sfidë e drejtpërdrejtë që ne e kemi çuar përpara me sukses deri tani, sikur duket edhe nga numri i lartë për të gjitha thirrjet. Gjithsej 50 bashki kanë aplikuar në thirrjen e pestë, ku 15 prej tyre kane realizuar fituese", u shpreh Ahmetaj.
Sipas Ahmetajt, ky program është shprehje e një modeli të suksesshëm bashkëpunimi mes qeverisë shqiptare dhe asaj italiane.
Në mesin e bashkive që kanë përfituar nga këto projekte janë ajo e Korçës, Vlorës, Elbasanit, etj. Programi i Konvertimit të Borxhit për Zhvillim (IADSA), ka për qëllim të mbështesë zbatimin e projekteve në sektorin social, propozuar nga institucionet publike në Shqipëri, ndërsa përfitues janë institucione të ndryshme, duke përfshirë edhe bashkitë e vendit.