Sibel Vezaj
31 Dhjetor 2017•Përditësim: 01 Janar 2018
PRISHTINË (AA) - Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi në mesazhin e fundvitit kërkon pa humbur kohë përfundimin e marrëveshjes për shënimin e vijës kufitare me Malin e Zi dhe transformimin e FSK-së në forca të armatosura, transmeton Anadolu Agency (AA).
Në një video-mesazh nga Presidenca me rastin e fundvitit, presidenti i Kosovës Thaçi tha se “Viti 2017 nuk ishte i lehtë, por nuk munguan as sukseset në fusha të ndryshme”.
Me këtë rast ai përmendi përmbylljen me sukses të zgjedhjeve lokale dhe ato nacionale, zbatimin e marrëveshjes për drejtësi në komunat veriore të Republikës së Kosovës, fuqizimin e sundimit të rendit dhe ligjit si dhe të pavarësisë së gjyqësorit.
“Jemi dhe do të mbesim kampion rajonal në luftën kundër terrorizmit dhe radikalizmit të dhunshëm. Zhvillimi ekonomik i vendit tonë vazhdon trendin pozitiv. E konsideroj sukses të padiskutueshëm progresin që Kosova ka shënuar në indeksin e të bërit biznes, të publikuar nga Banka Botërore”, tha Thaçi.
Duke rikujtuar se në vitin 2018 Kosova do të shënojë 10 vjetorin e shpalljes së pavarësisë, Thaçi tha se “Ky jubile duhet të shërbejë si motiv shtesë për të shënuar progres vendimtar në konsoludimin e shtetit tonë në arenën ndërkombëtare.
"Kjo në masë të theksuar do të varet edhe nga përkushtimi ynë për të arritur një marrëveshje përfundimtare për normalizimin e marrëdhënieve ndërshtetërore ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Serbisë. Për më tepër vitin tjetër duhet që pa humbur kohë të kryen punët tjera të rëndësishme, si ratifikimi i Marrëveshjes për shënimin e vijës kufitare me Malin e Zi, për t’i dhënë fund izolimit dhe për t’i hapur rrugë liberalizimit të vizave nga Bashkimi Evropian. Të përfundojmë transformimin e FSK-së dhe të themelojmë forcat e armatosura të Kosovës”, thekson ai.
“Të arriturat tona bëhen edhe më të mëdha kur kujtojmë se ku ishim vetëm dy dekada përpara. Kemi kaluar vite të tëra të diskriminimit e represionit, të luftës e shkatërrimit, të dëbimit e gjenocidit. Por, gjithmonë kemi ruajtur besimin dhe përkushtimin për një të ardhme më të mirë, për një shtet dhe një shoqëri më të mirë”, ka shtuar Thaçi.