Sibel Vezaj
08 qershor 2017•Përditësim: 08 qershor 2017
PRISHTINË (AA) - Në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Kosovës sot u mbajt një takim lidhur me angazhimin e Policisë së Kosovës në implementimin e planit policor për “Zgjedhjet e parakohshme parlamentare 11 qershor 2017, transmeton Anadolu Agency (AA).
Në një njoftim nga Policia e Kosovës thuhet se në takimin e ftuar nga drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Shpend Maxhuni morën pjesë Valdete Daka, kryetare e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), Laura Pula nga Prokuroria e Shtetit, Jan Braathu Shef i Misionit të OSBE-së në Kosovoë, përfaqësues të lartë nga KFOR-i, EULEX-i dhe Misionit Evropian për vëzhgimin e zgjedhjeve në Kosovë.
Me këtë rast drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Maxhuni ka njoftuar të pranishmit lidhur me planifikimet, vlerësimet dhe angazhimet e Policisë së Kosovës në ofrimin e sigurisë dhe mbarëvajtjes së procesit zgjedhor.
Gjatë takimit Maxhuni tha se krijimi i një klime të qetë dhe të sigurt për të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës si dhe mbajtja e rendit, qetësisë dhe sigurisë publike në vend para, gjatë dhe pas procesit të zgjedhjeve, është primare për Policinë e Kosovës.
“Njëkohësisht nga të pranishmit u diskutua edhe rreth inicimit dhe procedimit të çdo vepre penale kundër të drejtës së votimit dhe ndërmarrjes së të gjitha masave procedurale/penale ndaj çdokujt që bie ndesh me ligjet e vendit që rregullojnë/sanksionojnë veprimet e kundërligjshme ndaj zgjedhjeve të lira dhe demokratike në koordinim dhe bashkëpunim të ngushtë me Prokurorinë e Shtetit sipas planeve të veprimit dhe marrëveshjeve paraprake të bazuara në ligj”, thuhet nga PK.
Në takim po ashtu është diskutuar për angazhimin e plotë në gjithë territorin e vendit duke përfshirë edhe veriun, me qëllim të ofrimit të sigurisë për t’iu mundësuar të gjithë qytetarëve të vendit të ushtrojnë të drejtën e votës pa ndikime dhe pa pengesa.