Fatjon Cuka
08 qershor 2017•Përditësim: 09 qershor 2017
TIRANË (AA) – Fondacioni ALSAR në bashkëpunim me Fondacionin e Turqve të Rumelisë (Rumeli Türkleri Vakfı) ka organizuar sot një iftar të hapur për rreth një mijë persona në kryeqytetin e Shqipërisë, Tiranë, raporton Anadolu Agency (AA).
Në këtë iftar krahas jetimëve dhe nënave të tyre, merrnin pjesë përfaqësuesi i Fondacionit të Turqve të Rumelisë, Kemal Baltepe, drejtori i Gjysmë Hënës së Kuqe të Turqisë për Stambollin, Ilhami Yıldırım, zëvendës ambasadori i Turqisë në Tiranë, Sinan Cem Baş, zëvendës ministri i Punëve të Jashtme të Shqipërisë, Halil Hyseni, kryetari i Fondacionit ALSAR, Mehdi Gurra, etj.
Në fjalën e tij përshëndetëse, kryetari i Fondacionit ALSAR, Gurra shprehu falënderimet për fondacionin bashkëpunëtor, Gjysmë Hënën e Kuqe dhe institucionet zyrtare turke të akredituara në Tiranë, për bashkëpunimin në dhënien e ndihmave ndaj njerëzve në nevojë. "Është kënaqësi të çelësh iftar në një sofër të tillë. Për këtë arsye dua të falënderoj të gjithë bashkëpunëtorët në emër të gjithë jetimëve për ndihmat e dhëna dhe në veçanti për këtë iftar", tha ai.
Ndërsa në fjalën e tij zëvendës ambasadori i Turqisë në Tiranë, Sinan Cem Baş, vuri theksin tek rëndësia dhe të mirat e muajit të shenjtë të Ramazanit. Duke vënë në dukje se miqësia e Shqipërisë për Turqinë ka një vend të veçantë, ai tha se "Ne e ndjejmë veten si mishi me thonjtë kur bëhet fjalë për miqësinë e dy vendeve dhe jemi të lumtur që ndodhemi mes miqve tanë. Kemi marrëdhënie shumë të larta në çdo fushë ashtu edhe mes fondacioneve", tha ai dhe më pas falënderoi Fondacionin e Turqve të Rumelisë për organizimin.
Një fjalë përshëndetëse ka mbajtur edhe përfaqësuesi i Fondacionit të Turqve të Rumelisë, Baltepe. Në fjalën e tij ai tha se është kënaqësi që ndodhen në iftarin e parë për këtë Ramazan në trevat e gjyshërve të tyre, veçanërisht në vendin mik Shqipëri. Duke dhënë detaje mbi fondacionin ai tha se Fondacioni i Turqve të Rumelisë jep bursa për më shumë se një mijë studentë, restauron objekte historike në vendet e gjyshërve (Ballkan) dhe zhvillon takime akademike, Baltepe në vijim tha se iftaret në vendet e Ballkanit janë kthyer tashmë në një traditë. Ai falënderoi fondacionin ALSAR për bashkëpunimin.
Ndërsa kryetari për Stambollin i Gjysmë Hënës së Kuqe, Yıldırım, në fjalën e tij përshëndetëse tha se muaji i Ramazanit është muaji i solidaritetit dhe unitetit. "Jemi këtu duke ndarë me ju atë që kemi duke u bazuar në një miqësi qindra vjeçare. Falënderoj të gjithë ata që mundësuan që të takohemi këtu. Falënderoj dhe ju pjesëmarrës që jeni këtu", tha ai. Më pas duke dhënë informacione mbi aktivitetin e Gjysmë Hënës së Kuqe në Ballkan, tha se ndodhen në Shqipëri për të ndarë ndihma për njerëzit në nevojë ashtu sikurse është bërë traditë tashmë në muajt e Ramazanit. Yıldırım tha gjithashtu se do të jenë përsëri bashkë gjatë Kurban Bajramit pasi Gjysmë Hëna e Kuqe do tu qëndrojë pranë shqiptarëve edhe me ndarjen e kurbaneve.