Bekim Buci
04 Mars 2017•Përditësim: 04 Mars 2017
SHKUP (AA) - Kryesia Qendrore e Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI) pas mbledhjes së mbrëmshme kërkoi nga presidenti i Maqedonisë që t'ia jep mandatin liderit të Lidhjes Social Demokrate të Maqedonisë (LSDM) Zoran Zaev për formimin e qeverisë nga shumica parlamentare e vërtetuar me 67 nënshkrime të deputetëve nga Parlamenti i Maqedonisë. Nga kjo parti shprehën qëndrimin për pjesëmarrje në shumicën e re qeveritare, transmeton Anadolu Agency (AA).
"Ftojmë Ivanov, në përputhje me Kushtetutën, t'i ndajë mandatin Zoran Zaevit pasi që posedon nënshkrimet e 67 deputetëve dhe ftojmë opinionin që gjatë kësaj situate tensionuese të qëndrojnë të përmbajtur. Kryesia qendrore e BDI njofton qytetarët, se dhënia e nënshkrimeve për mandatim të Zoran Zaevit nënkupton edhe përkrahje e BDI-së për shumicën e re parlamentare si dhe zgjedhjen e një qeverie reformuese në frymën e Marrëveshjes së Ohrit me përkushtim në integrimet evropiane dhe formim të shtetit të së drejtës. Pjesëmarrja jonë në Qeveri është si rezultat i vullnetit të pupullit shqiptar të shprehur më 11 dhejtor si dhe për realizim të programit partiak. Ne kërkojmë edhe hetim të plotë të tërë veprimtarisë së BDI-së që nga viti 2002 e deri më sot me monitorim nga ndërkombëtarët deri sa të përfundon reformimi i sistemit gjyqësor”, tha Bujar Osmani, zëdhënës i Bashkimit Demokratik për Integrim.
Ndërkohë në njoftimin e BDI-së thuhet se: "Kryesia qendrore e BDI-së si subjekt që nënshkroi Platformën shqiptare si bashkëpërpilues i Deklaratës së përbashkët të partive parlamentare shqiptare të Maqedonisë, pas prononcimit të Ivanovit rikonfirmon se Deklarata paraqet një dokument të përbashkët të partive politike shqiptare në Maqedoni, i përpiluar dhe e ideuar në Shkup, si një përmbledhje e programeve zgjedhore të të gjitha partive tona parlamentare dhe në asnjë mënyrë nuk paraqet imponim nga asnjë faktor i jashtëm".
"Duke marrë në konsideratë që kjo Deklaratë është në përputhje me vlerat evropiane sepse përforcon kohezionin ndëretnik, ndihmon përforcimin e demokracisë, sundimin e së drejtës dhe shtetin ligjor si dhe perspektivën EuroAtlantike të vendit tonë, ne konstatojmë që Deklarata e përbashkët e partive parlamentare shqiptare është në frymën e Marrëveshjes së Ohrit dhe Kushtetutën e vendit dhe si e tillë nuk cenon në asnjë mënyrë integritetin e vendit dhe nuk rrezikon karakterin unitar dhe rendin kushtetues të shtetit", thuhet mes tjerash në njoftimin e BDI-së.