Bekim Laci
05 Mars 2016•Përditësim: 06 Mars 2016
SHKUP (AA) - Një grup qytetarësh të udhëhequr nga kreu i Kongresit Botëror Maqedonas, (KBM), Todor Petrov, kanë mbajtur një protestë para Ministrisë për Punë të Brendshme (MPB) duke kërkuar dorëheqjen e ministrit Oliver Spasovski, pas manifestimit të dhunës në komunën e Butelit lidhur me planet e ndërtimit të një kryqi, raporton Anadolu Agency (AA).
Protestuesit thanë se manifestimi i pakënaqësisë nuk ka natyrë politike apo fetare, sepse qëllimi i tij është të kërkohet llogari nga Spasovski i cili sipas tyre nuk ka ndaluar prishjen e themelit për kryqin i cili ishte parashikuar të ndërtohet në komunën e Butelit.
Në fjalimin e tij, Petrov tha se kishin ardhur para godinës së ministrisë të kërkojnë nga ministri i Brendshëm, Oliver Spasovski të fillojë të bëjë punën e ministrit.
“KBM kërkon nga Ministria e Punëve të Brendshme të krijojë kushte për ndërtimin e kryqit në Butel, punimet për të cilin ishin ndërprerë” tha Petrov sipas të cilit bllokimi i punës është bërë nga pjesëtarë të Bashkimit Demokratik për Integrim.
Ai kërkoi nga MPB të ndërmarrë masa për këtë rast.
Gjatë protestës qytetarët mbanin pankarte me parullat “Oliver lëri profesionistët të bëjnë punën” “Oliver, përse paguhesh”, etj, ndërsa protesta kaloi e qetë.
Ndërkohë kohë më parë Këshilli i Komunës së Butelit në bazë të kërkesës së Kongresit Botëror Maqedonas miratoi vendosjen e kryqit 51 metra të lartë dhe 4 metra të gjerë në Komunën e Butelit, komunë kjo e përbërë edhe me komunitete tjera religjioze. Më pas pasuan protesta të organizuara nga BDI, pjesëtaret e së cilës vendosën tenda në lokacionin ku ishte parashikuar të ndërtohet kryqi, duke prishur themelet e tij.
Mrbëmë mbështetësit e Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI) vendosën që të çmontojnë tendat e vendosura në vendin ku ishte parashikuar të ndërtohet kryqi, ndërkohë AA jo zyrtarisht mëson se në vend të ngritjes së kryqit në Butel do të vendoset flamuri kombëtar maqedonas ose skulptura e luanit.