Fatjon Cuka
04 prill 2017•Përditësim: 05 prill 2017
TIRANË (AA) - Gjatë aktivitetit për analizën vjetore (2016) të Inspektoratit Shtetëror të Punës dhe Shërbimeve Shoqërore të Republikës së Shqipërisë është bërë e ditur se në vend gjatë viteve të fundit ka një ulje në numrin e aksidenteve në punë, raporton Anadolu Agency (AA).
Në këtë aktivitet e pranishme ishte edhe ministrja e Mirëqenies Sociale dhe Rinisë e Shqipërisë, Olta Xhaçka, e cila gjatë fjalës së saj u shpreh se objektivi kryesor i institucioneve të inspektimit është që të reduktohet në zero numri i punonjësve që punojnë në kushte të rënda pune.
Duke folur për rastet e aksidenteve me pasojë vdekjen, që lidhen direkt me punën, ministrja Xhaçka u shpreh se "Nga 22.4 për qind në 2012 është reduktuar deri në 11.5 për qind numri i rasteve në vitin 2016. Po ashtu aksidentet masive për vitin 2016, përbëjnë 0.52 të rasteve, kundrejt 8.9 për qind të rasteve të aksidenteve në vitin 2014."
"Inspektimi i standardeve të punësimit rrit efektivitetin e punës dhe është shkas për përmirësimin e politikave të punësimit, duke kontribuar në përfshirjen sociale nëpërmjet punës, si dhe duke ngritur nivelin e duhur të të gjitha standardeve. Një aspekt themelor që përmirëson procedurat e inspektimit është të jemi në gjendje të mbështetemi në një sistem të besueshëm të dhënash që ndihmon në identifikimin e bizneseve që do të inspektohen dhe mbledhjen e të dhënave që mungojnë", theksoi më tej Xhaçka.
Kjo analizë kishte në fokus publikimin e raportit mbi përfshirjen e punëmarrësve në skemën e sigurimeve shoqërore, numrin e aksidenteve në punë, reduktimin e informalitetit gri, fuqizimin e kapaciteteve inspektuese, etj.