Miki Trajkovski
24 Qershor 2017•Përditësim: 25 Qershor 2017
OHËR (AA) - Sot në Ohër u shënua 24 Qershori, Dita Ndërkombëtare e Egjiptianëve të Ballkanit. Ngjarja u shënua me program festiv ku morën pjesë përfaqësues të Qeverisë, anëtarë të Parlamentit dhe zyrtarë nga rajoni, raporton Anadolu Agency (AA).
Me këtë rast, u shfaq filmi dokumentar "Egjiptianët e Ballkanit", e cili shfaq jetën, kulturën, trashëgiminë, dhe nismat për të mbrojtur identitetin e egjiptianëve të Ballkanit.
Ministri i Kulturës i Republikës së Maqedonisë, Robert Alagjozoski, i cili mori pjesë në këtë ngjarje, tha se politikat e reja kulturore të qeverisë do të veprojnë në drejtim të decentralizimit të kulturës dhe promovimin e identitetit kulturor edhe të komuniteteve më të vogla.
"Angazhimi ynë i qartë është të ndërtojmë një shoqëri për të gjithë, që do të thotë barazim i të drejtave dhe mundësi për të gjitha komunitetet", tha Alagjazovski.
Rubin Zemon, president nderi i Shoqatës së Egjiptianëve të Ballkanit, tha se komuniteti i egjiptianëve në Maqedoni është më së paku i përfaqësuar në krahasim me vendet e tjera në Ballkan.
"Në Kosovë kemi një deputet, dhe një zëvendësministër. Në Shqipëri disa muaj më parë u sjell një projekt-ligj në Parlament me të cilin egjiptianët bëhen pjesë e minoriteteve të mbrojtura. Në Serbi dhe Mal të Zi ka një ligj që formon të ashtuquajturat Këshilla të Pakicave kombëtare”, tha ai duke kërkuar nga Qeveria e Maqedonisë që egjiptianët të futën në kushtetutë.
Sipas tij, 4500 qytetarët e Maqedonisë janë deklaruar si egjiptianë dhe në bazë të hulumtimeve të tyre etnografik në Maqedoni ka rreth 25.000 egjiptianë, ndërsa në shtetet e Ballkanit jetojnë mbi një milion egjiptianë, shumica e të cilëve, rreth 500000 në Greqi dhe në Shqipëri rreth 350000.
Zëvendësministri i Administratës Publike në Qeverinë e Kosovës, Mustafa Mirtaj cili ishte i pranishëm në këtë ngjarje tha se janë të kënaqur me rrjedhën e integrimit të egjiptianëve në Kosovë.
"Ajo që ne kemi si të dhëna zyrtare është se numri i egjiptianëve është 14.000 në Kosovë, por ka shumë pjesëtarë të komunitetit që e deklarojnë veten si shqiptarë dhe bashkësive tjera etnike", tha ministri Mirtaj.
Sot Lëvizja e Egjiptianëve të Ballkanit, përveç në Maqedoni, Kosovë dhe Shqipëri kanë organizatat në Mal të Zi, Serbi, Gjermani, Zvicër, Suedi, Belgjikë dhe Holandë.
Vendimi që 24 Qershori të llogaritet Dita e Egjiptianëve të Ballkanit është bërë në kongresin e dytë të mbajtur në Strugë në vitin 2010.