Senada Ibraimova
16 Nëntor 2016•Përditësim: 17 Nëntor 2016
SHKUP (АА) – Sot në Akademinë e Shkencave dhe Arteve të Maqedonisë (ASHAM) në bashkëpunim me Misionin e OSBE-së në Shkup, është shënuar Dita Ndërkombëtare e Tolerancës me debatin “Dialogu mes civilizimeve dhe sfidat e tolerancës në epokën digjitale”, raporton Anadolu Agency (AA).
Konferencën e hapi kryetari i ASHAM-it, akademik Taki Fiti, ku u shpreh se ASHAM-i është tempull i shkencave dhe arteve dhe se shënimi i Ditës së Tolerancës është detyrë dhe e drejtë e saj.
Sipas Fitit, kjo ditë, është dita e dinjitetit njerëzor. Ai tha se Maqedonia është një shoqëri multikulturore për të cilën historia na mëson se që prej kohësh në këto hapësira kanë jetuar njerëz të përkatësisë së ndryshme etnike dhe fetare, të cilët në periudha të caktuara kanë jetuar në paqe dhe bashkëpunim të ndërsjellë. Por. Gjithashtu, ai theksoi se historia më e re është dëshmitar se paraqitja dhe praktikimi i nacionalizmave, shovinizmave ekstrem, jotolerancës, diskriminimit dhe dhunës askujt nuk i kanë sjellë dobi.
Duke dhënë shembull nga situata politike e Maqedonisë, Fiti tha se Maqedonia gjendet në krizë serioze politike dhe se kjo manifestohet përmes përplasjes që paraqitet mes partive politike. “Ato duhet të garojnë në bazë të ideve, programet që përfaqësojnë, dhe në këtë mënyrë qytetarët mund të vlerësojnë vet për kë do të votojnë”, theksoi Fiti.
Fjalim mbajti edhe akademiku Vllado Kambovski, i cili tha se "ne si një shoqëri jemi të thirrur në një kuptim historik që të jemi shoqëri tolerante, sepse, tek ne toleranca nuk është një parim formalisht proklamues, por del nga vet memoria jonë kolektive dhe hyn në identitetin dhe strukturën tonë nacionale."
“Populli maqedonas ka jetuar në tolerancë në këto hapësira së bashku me popullin shqiptar, turk, serb dhe të gjithë të tjerët në Ballkan, do të thotë pa mosmarrëveshje në kohëra të vështira. Njerëzit kanë folur në gjuhë të ndryshime, por më me rëndësi është se janë kuptuar. Më e vështirë është situata kur njerëzit flasin në një gjuhë të njëjtë, por nuk kuptohen. Situatë të tillë si duket kemi sot, veçmas mes partive politike”, theksoi Kambovski.