BALLKANI

Ministri Çavuşoğlu takon presidentin Thaçi

Presidenti i Kosovës Thaçi ka falënderuar ministrin turk Çavuşoğlu për mbështetjen që i ka dhënë popullit dhe shtetit të Kosovës në të gjitha periudhat

Sibel Vezaj  | 19.10.2018 - Përdıtësım : 19.10.2018
Ministri Çavuşoğlu takon presidentin Thaçi ( Erkin Keçi - Anadolu Agency )

Prishtinë

PRISHTINË (AA) - Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi ka pritur sot në takim ministrin e Punëve të Jashtme të Turqisë, Mevlüt Çavuşoğlu, transmeton Anadolu Agency (AA).

Në një komunikatë nga Presidenca e Kosovës thuhet se me këtë rast, Thaçi ka falënderuar ministrin turk për mbështetjen që i ka dhënë popullit dhe shtetit të Kosovës në të gjitha periudhat.

“Në këtë takim është biseduar edhe për mundësinë e rritjes së shkëmbimit tregtar ndërmjet dy vendeve, si një mundësi për dinamizmin e rritjes ekonomike”, njoftoi presidenca.

Presidenti Thaçi më tej ka theksuar se Kosova dhe Turqia kanë marrëdhënie miqësore dhe bashkëpunim strategjik, duke falenderuar për përkrahjen që Turqia i jep konsolidimit të shtetit të Kosovës në botë.

“Sot Turqia është një mbështetëse besnike e forcimit të subjektivitetit ndërkombëtar të Kosovës, si në shtimin e njohjeve ashtu edhe në anëtarësimin në organizata ndërkombëtare”, ka thënë ai.

Sipas presidentit Thaçi, Kosova është mirënjohëse për mbështetjen e përhershme që merr nga Turqia në të gjitha fushat. Duke folur për zhvillimet në rajon, Thaçi ka thënë se Kosova po kërkon të arrijë marrëveshje paqësore me Serbinë, e cila, sipas tij, do të hapë perspektivë evropiane për të dy vendet.

“Marrëveshja është në interes të të dyja vendeve”, ka shtuar ai.

Ndërkaq, ministri i Punëve të Jashtme i Turqisë, Mevlüt Çavuşoğlu, thuhet në njoftimin e ministrisë, ka thënë se Turqia mbështet përpjekjet për paqe të qëndrueshme në rajon, e në këtë kuadër edhe angazhimin për të arritur një marrëveshje ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

“Do të vazhdojmë të përkrahim në çdo aspekt shtetin dhe popullin e Kosovës”, është shprehur Çavuşoğlu.

Në takim është biseduar edhe për zgjerimin e bashkëpunimit bilateral në sektorët e ekonomisë dhe atë të mbrojtjes e sigurisë.

Ministri Çavuşoğlu sot është takuar edhe me zëvendëskryeministrin e parë dhe ministrin e Punëve të Jashtme të Kosovës Behgjet Pacolli.

Ndërkaq, nesër është paraparë që ai të takohet me kryeministrin Ramush Haradinaj dhe kryeparlamentarin Kadri Veseli.

Ministri turk gjithashtu pritet që nesër të vizitojë qytetin e Prizrenit.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
Tema relevante
Bu haberi paylaşın