Figen Shaban
09 Shtator 2017•Përditësim: 09 Shtator 2017
PRISHTINË (AA) - Zëvënedësministrja e Integrimit Evropian e Republikës së Kosovës, Anila Statovci Demaj, priti në takim për të diskutuar zhvillimet e fundit me migrimin e parregullt nga Kosova, ambasadorin e Hungarisë në Kosovë, Laszlo Markusz, zëvendësambasadorin e Gjermanisë, Jan Axel Voss dhe sekretaren e parë nga Ambasada e Austrisë, Eva Elisabeth Michlits, transmeton Anadolu Agency (AA).
Në një njoftim nga Ministria e Integrimit Evropian (MIE), ku theksohet se "nuk ka azil në BE për kosovarët", thuhet se zëvendësministrja Statovci Demaj, i njoftoi diplomatët për gjendjen aktuale, mobilizimin institucional dhe të dhënat zyrtare në dispozicion se çfarë është duke ndodhur me raportimet e fundit në media për rritje të numrit të qytetarëve "për të migruar në mënyrë të parregullt."
“Ministria e Integrimit Evropian në bashkëpunim me institucionet relevante është duke monitoruar zhvillimet në këtë drejtim dhe të dhënat e deritanishme dëshmojnë se nuk ka shtim të numrit të atyre që janë duke shkuar në mënyrë të parregullt drejt Hungarisë. Nuk ka rritje të kërkesës për të udhëtuar në drejtim të Serbisë, dhe nuk ka kërkesa për të shtuar linja të reja te autobusëve në këtë drejtim. Ka informacione se persona të caktuar, në mënyrë të organizuar janë duke tentuar të mashtrojnë qytetarët se ka një rrugë te kundërligjshme për të hyrë në kufijtë e Schengenit, por dua të njoftoj qytetarët e Kosovës se në konsultim edhe me shtetet anëtare të BE-së jemi njoftuar se këto janë dezinformata dhe, edhe zona e gjelbër në kufi ndërmjet Hungarisë dhe Serbisë është e mbyllur dhe se në rast të ndonjë kalimi eventual, organet e sigurisë hungareze do të marrin masa ligjore për kalim të parregullt të kufirit", tha Statovci Demaj.
Ajo ka shtuar më tej se "Me qëllim që qytetarët tanë të mos bien në lajthitje nga kontrabanduesit, apelojmë te qytetarët tanë që të mos e marrin këtë rrugë sepse përveç shpenzimeve materiale atyre do tu ndalohet edhe hyrja në Schengen për vite të tëra."
“Po të njëjtën gjë e konfirmoi edhe ambasadori Markusz dhe përfaqësuesit tjerë, se njëkohësisht do të ketë ndalim udhëtimi për të gjithë ata qytetarë që gjenden duke kaluar kufijtë e zonës Shengen në mënyrë të parregullt”, thuhet në njoftim.
Sipas njoftimit, përfaqësuesit e ambasadave të lartpërmendura iu bëjnë thirrje qytetarëve të Kosovës "që të mos bien pre e politikave qëllimkeqe dhe të mos marrin rrugën e parregullt duke rrezikuar vetën dhe familjarët e tyre."