Fatjon Cuka
10 Shtator 2017•Përditësim: 11 Shtator 2017
TIRANË (AA) - Presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta, një ditë pasi dekretoi kryetarin e Partisë Socialiste si kryeministër të Shqipërisë, sot ka dekretuar përbërjen e re të Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë, transmeton Anadolu Agency (AA).
Dekreti i publikuar sot nga zyra e shtypit e Presidencës së Shqipërisë përmban të gjithë emrat e kabinetit të ri qeveritar të drejtuar nga Rama.
Në postin e zëvendëskryeministres është emëruar Senida Mesi, ndërsa ish-kryeministri i vendit Pandeli Majko, ministër shteti për Diasporën dhe Sonila Qato, ministre Shteti për Mbrojtjen e Sipërmarrjes.
Ministër i Brendshëm është emëruar Fatmir Xhafaj, Ditmir Bushati, ministër për Evropën dhe Punët e Jashtme, Olta Xhaçka, ministre e Mbrojtjes, Etilda Gjonaj emërohet në postin e ministres së Drejtësisë, Mirela Kumbaro përsëri në Ministrinë e Kulturës, Arben Ahmetaj do të drejtojë Ministrinë e Financave dhe Ekonomisë, Lindita Nikolla, ministre e Arsimit, Sportit dhe Rinisë, Ogerta Manastirliu, ministre e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Damian Gjiknuri, ministër i Infrastrukturës dhe Energjisë, Niko Peleshi, ministër Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural dhe Blendi Klosi ministër i Turizmit dhe Mjedisit.
Ndërkohë nesër është planifikuar që Kuvendi i Shqipërisë të miratojë programin dhe përbërjen e Këshillit të Ministrave të Shqipërisë. Pas miratimit në Kuvend dhe pas betimit të kabinetit qeveritar në Presidencën e Shqipërisë ministrat e rinj do të marrin zyrtarisht detyrën.
Kujtojmë se dje u mbajt seanca e parë e legjislaturës së nëntë të Kuvendit të Shqipërisë, ndërsa në krye të Kuvendit u zgjodh deputeti i Partisë Socialiste, Gramoz Ruçi.
Partia Socialiste e Shqipërisë fitoi zgjedhjet parlamentare që u mbajtën më 25 qershor të këtij viti, duke fituar 74 deputetë në Kuvendin e Shqipërisë, të përbërë nga 140 deputetë. Partia Demokratike e Shqipërisë fitoi 43 mandate, Partia Lëvizja Socialiste për Integrim 19 mandate, Partia Drejtësi, Integrim dhe Unitet 3 mandate dhe Partia Social Demokrate ka siguruar 1 mandat.