Sibel Vezaj
06 Dhjetor 2018•Përditësim: 06 Dhjetor 2018
PRISHTINË (AA) - Agjencia e Kosovës për Forenzikë e Ministrisë së Punëve të Brendshme sot organizoi ceremoni me rastin e 15 vjetorit të themelimit të saj, raporton Anadolu Agency (AA).
Në një fjalë rasti përfaqësuesi nga kryeministria, Hysen Gashi, theksoi sukseset dhe të arriturat e Agjencisë kosovare për Forenzikë, ku vuri në dukje se 15 vite më herët Kosova nuk kishte kuadro e as operator për të luftuar krimin me sukses dhe se i duhej të mbështeteshin tek të huajt e t’i dërgonin mostrat jashtë Kosovës.
“Sot Kosova shënon 15 vjetorin e Agjencisë, por edhe shkencës dhe ndihmës së saj për të luftuar krimin dhe për të ofruar një jetë më të qetë. Përkushtimi juaj tregon se Kosova është e dinjitetshme, të jetë shembull i shkencës së forenzikës në rajon e më gjerë. Ky sukses është arritur vetëm për këto 15 vite”, tha ai.
Gashi këtu përmendi edhe mosanëtarësimin e Kosovës në Interpol, ku sipas tij “u përzie edhe politika”.
“Serbia bëri përpjekje të ulëta që të na përjashtojë duke treguar edhe një herë se ata nuk janë të interesuar të jenë partnerë në luftën kundër krimit, pavarësisht se ne ishim dhe jemi gati të bëhemi pjesë e kontributit të sigurisë globale”, tha ai.
Ministri i Punëve të Brendshme i Kosovës, Ekrem Mustafa, tha se ky përvjetor flet se Kosova, përkundër të gjitha vështirësive nëpër të cilat ka kaluar, gradualisht po bën atë që quhet traditë institucionale.
“Agjencia e Kosovës për Forenzikë gjatë vetë ekzistimit të saj tani e 15 vite është treguar se rendi dhe siguria në shtet mbështeten veç tjerash nga një shtyllë e fuqishme, ajo e ekspertizave shkencore forenzike”, tha Mustafa.
Kryeshefi ekzekutiv i Agjencisë së Kosovës për Forenzikë, Blerim Olluri, tha se Agjencia e Kosovës për Forenzikë, si agjenci e pavarur ekzekutive e themeluar me një ligj të vecantë organik, gjatë këtyre viteve ka luajtur një rol tejet të rëndësishëm në shumë çështje penale, por edhe atë civile, si mbështetëse e fuqishme që përmes provës shkencore të ndihmojë në zbardhjen e veprave penale dhe të kryerësve të tyre.
“Gjatë këtij rrugëtimi 15 vjeçar është e rëndësishme që sot të shënojmë një sukses kaq të lartë të Agjencisë së Kosovës për Forenzikë, ku gjatë këtyre 15 viteve ne kemi kryer mbi 51 mijë ekspertiza forenzike, me mbi 6 mijë prova materiale”, tha ai.
Olluri falënderoi qeverinë amerikane, atë gjermane, Komisionin Evropian, OSBE-në, UNDP-në dhe TIKA-n e qeverinë turke për mbështetjen dhe kontributin 15 vjeçar në funksionalizimin dhe profesionalizimin e kësaj agjencie.
Në këtë ceremoni ku të pranishëm ishin edhe përfaqësues të misioneve e të institucioneve vendore e ndërkombëtare, si dhe stafi i Agjencisë Kosovës për Forenzikë, u ndanë mirënjohje për mbështetësit ndërkombëtarë të kësaj agjencie.