Sibel Vezaj
16 Tetor 2018•Përditësim: 16 Tetor 2018
PRISHTINË (AA) - Ekrem Mustafa është emëruar ministër i Punëve të Brendshme të Kosovës, transmeton Anadolu Agency (AA).
Në një komunikatë nga MPB e Kosovës thuhet se ish ministri i kësaj ministrie Bejtush Gashi ka dorëzuar detyrën e ministrit të Brendshëm, tashmë të emëruarit të ri në këtë detyrë, Ekrem Mustafa.
“Gjatë ceremonisë së pranim-dorëzimit, të dy bashkëbiseduesit diskutuan për punën dhe çështjet kryesore që kanë të bëjnë me MPB-në. Me këtë rast, ish-ministri Gashi i ka uruar Mustafës detyrën e re të ministrit të Brendshëm. Ndërsa ministri i ri i MPB-së, Mustafa falënderoi ish-ministrin Gashi për punën që ka bërë në MPB gjatë mandatit të kaluar”, njofton MPB.
Zëvendës kryeministri dhe ministri i Punëve të Jashtme të Kosovës, Behgjet Pacolli në një postim në rrjetin social ka thënë se si kryetar i Partisë Aleanca Kosova e Re (AKR), parti në koalicionin qeveritar të cilës iu takon kjo ministri, ia ka adresuar kryeministrit të Kosovës Ramush Haradinaj kërkesën për emërimin e Ekrem Mustafës si ministër të MPB-së.
Ai tha se këtë e ka bërë “në kuadër të riorganizimit të përgjegjësive institucionale”. “Dua të falendëroj për kontributin e tij të deritashëm Bejtush Gashin i cili në ditët në vijim do të marrë një përgjegjësi të rëndësishme institucionale, në funksion të realizimit të objektivave tona qeverisëse”, tha Pacolli.