Figen Shaban
04 Shtator 2017•Përditësim: 05 Shtator 2017
PRISHTINË (AA) - Me rastin e arritjes së Kardinalit shqiptar Ernest Simoni, i dërguar i posaçëm i Papa Françeskut për shugurimin e Katedrales “Nënë Tereza" në Prishtinë, u organizua një konferencë për media në Rezidencën e Ipeshkvisë së Kosovës, raporton Anadolu Agency (AA).
Kardinali shqiptar Ernest Simoni i cili u prit nga Ipeshkvi i Kosovës, Imzot Dodë Gjergji gjatë konferencës për media u shpreh i lumtur për ardhjen e tij në Kosovë me rastin e shugurimit të Katedralës “Nënë Tereza” në Prishtinë.
"Për mua ishte një gëzim i madh kur mora vesh prej atit të shenjtë që personalisht të shkosh në Prishtinë, t’i dërgosh urimet e mia më të përzemërta për popullin vëlla kosovar-shqiptar e që bekimi i Zotit të jetë në zemrat e të gjithë kosovarëve. Lutemi që dashnia e të madhit Zot të jetë në familjet e të gjithëve që të rritet dashuria vëllazërore e gjithanshme", tha kardinali Ernest Simoni.
Kurse, Ipeshkvi i Kosovës, Imzot Dodë Gjergji theksoi se Ipeshkvia e Kosovës ka përgatitur disa dhurata për kardinalin për hir të festës së shugurimit të Katedralës “Nënë Tereza”.
"E para dhuratë është një drekë me të varfrit tanë, sepse siç e dini tash e dhjetë vite ne japim ushqimin e drekës çdo ditë për të varfërit. Dhurata e dytë për kardinalin është medalja e festës me stemën e kësaj feste”, tha Imzot Dodë Gjergji.
Ndërsa pas konferencës Kardinali shqiptar Ernest Simoni mori pjesë në një drekë të organizuar nga Ipeshkvia e Kosovës me të varfrit te menza e të varfërve, që gjendet në Kishës e Shën Ndout në Ulpianë (Prishtinë).
Ndërtimi i katedralës “Nënë Tereza” filloi më 26 gusht të vitit 2005, ndërsa u inaugurua në vitin 2010. Shugurimi i katedrales do të bëhet nesër më 5 shtator 2017, në 20 vjetorin e vdekjes së Nënë Terezës.