Besar Ademi
21 Shkurt 2017•Përditësim: 22 Shkurt 2017
SHKUP (AA) – Instituti i Trashëgimisë Shpirtërore e Kulturore të Shqiptarëve (ITSHKSH – Shkup), në hapësirat e institutit promovoi veprimtarinë shkencore dhe botuese gjatë vitit 2016, ndërsa promotorë të promovimit ishin akademiku Luan Starova dhe drejtori Institutit për Studime Shqiptare dhe Protestante në Tiranë, David Hosaflook, raporton Anadolu Agency (AA).
Në promovimin e veprimtarisë për vitin 2016 u përmendën disa punime të botuara në revistën periodike shkencore “Scupi”, botime të veprave individuale të punëtorëve shkencorë nga vendi dhe nga jashtë si dhe pjesëmarrje e institutit në konferenca dhe projekte shkencore.
Në veprimtarinë një vjeçare të ITSHKSH-së u theksuan edhe bashkëpunimet e ngushta me institute tjera shkencore në Shkup, Tiranë dhe Prishtinë, si dhe me institucionet shtetërore dhe komunale të cilat mbështetën punën e këtij instituti në realizimin e projekteve.
Drejtor i ITSHKSH-së, Skender Asani, në fjalën e tij para të pranishmëve tha se puna e institutit që drejton ai, këtë institut e ka shndërruar në një qendër e cila paraqet një urë lidhëse për mirëkuptim etnik dhe fetar në Maqedoni. Ai shprehu bindje se viti 2017 me projektet e parapara do të jetë një vit më i begatshëm për ITSHKSH-në.
“Këtë e kemi dëshmuar me projekte të ndryshme, jo vetëm këtu, por në mbarë botën. Instituti edhe më tej do të jetë një urëlidhëse për marrëdhëniet ndër-etnike dhe ndërfetare këtu në Maqedoni, sepse diversiteti është pasuria e këtij vendi dhe me këtë diversitet që ne mundohemi ta tregojmë dhe zbatojmë, reflekton gjithandej”, deklaroi Asani.
Në promovimin e veprimtarisë shkencore dhe botuese të ITSHKSH-së të pranishëm ishin përfaqësues të korit diplomatik në vend, përfaqësues të institucioneve të ndryshme shkencore nga Shkupi, Tirana dhe Prishtina, akademikë, hulumtues si dhe mysafirë tjerë.