Figen Shaban
19 Tetor 2017•Përditësim: 20 Tetor 2017
PRISHTINË (AA)- Zëvendëskryeministri dhe ministri i Punëve të Jashtme i Republikës së Kosovës, Behgjet Pacolli ka pritur sot në takim zëvendëskryeministren dhe ministren e Punëve te Jashtme te Republikës së Bullgarisë, Ekaterina Zaharieva, raporton Anadolu Agency (AA).
Pas takimit, Pacolli dhe Zaharieva mbajtën një konferencë për mediat. Ministri Pacolli gjatë konferencës theksoi se me homologen e tij bullgare kanë diskutuar për "marrëdhëniet e mira bilaterale në mes Kosovës dhe Bullgarisë", si dhe për planet e ardhshme të bashkëpunimit.
“Diskutuam temat e agjendës së Kosovës, që Kosova është në rrugë të mirë drejt integrimeve dhe diskutuam po ashtu për ndihmën që Bullgaria është duke dhënë për Kosovën në planin e saj të integrimeve në organizatat e ndryshme rajonale evropiane dhe botërore”, u shpreh Pacolli.
Duke theksuar se Kosova ka çfarë të mësojë edhe nga eksperienca e Bullgarisë sa i përket shtetndërtimit dhe rrugëtimit që ka patur drejt BE-së, Pacolli tha se janë diskutuar edhe temat e bashkëpunimit ekonomik për të intensifikuar tregtinë.
Ndërkaq duke vlerësuar edhe rolin e dialogut në mes Kosovës dhe Serbisë, Pacolli tha se me homologen e tij kanë biseduar edhe për këtë temë. Ai u shpreh se Kosova do të vazhdojë të jetë pjesë e këtij dialogu edhe në të ardhmen.
Kurse, zëvendëskryeministrja dhe ministrja e Punëve te Jashtme te Republikës së Bullgarisë, Ekaterina Zaharieva duke bërë të ditur se Bullgaria do të udhëheq presidencën e Bashkimit Evropian prej 1 janari të vitit 2018 tha se një nga prioritetet kyçe, është perspektiva evropiane për Ballkanin Perëndimor.
Duke folur për reformat e BE-së ajo tha se implemetimi i reformave evropiane kanë rëndësi të madhe sepse këto reforma sipas saj nuk janë për të kënaqur dikë që ka kërkuar nga ai shtet, por për qytetarët dhe rininë e Kosovës, “me qëllim që të kenë një perspektivë, të ndjehen mirë në shtetin e tyre dhe të qëndrojnë në shtetin e tyre e jo të migrojnë në vende të tjera”.
Ndryshe, në kuadër të vizitës së saj zyrtare në Kosovë, Zaharieva sot është takuar edhe me Presidentin e vendit Hashim Thaçi dhe kryeministrin, Ramush Haradinaj.