Fatjon Cuka
28 Prill 2017•Përditësim: 29 Prill 2017
TIRANË (AA) - Ilir Meta, kryetari aktual i Kuvendit të Shqipërisë është zgjedhor sot në seancën e posaçme parlamentare president i ri i Shqipërisë, raporton Anadolu Agency (AA).
Meta ka marrë gjithsej 87 vota pro dhe 2 kundër nga 89 deputetë të pranishëm në seancën e Kuvendit të Shqipërisë, ndërsa mjaftonin në këtë raund 84 vota për zgjedhjen e tij.
Nga ana tjetër, deputetët e opozitës nuk kanë marrë pjesë në seancën për zgjedhjen e presidentit të ri të vendit, pasi që prej datës 18 shkurt vazhdojnë protestën dhe bojkotin parlamentar me kërkesën për krijimin e qeverisë teknike për përgatitjen e zgjedhjeve të parlamentare që do të mbahen më 18 qershor të këtij viti.
Ilir Meta, i zgjedhur si presidenti i shtatë i Shqipërisë do të marrë zyrtarisht detyrën më 24 korrik të këtij viti, kur edhe përfundon mandati pesëvjeçar i presidentit aktual Bujar Nishani.
Kujtojmë se tre raundet e para për zgjedhjen e presidentit të ri të vendit dështuan, pasi nuk u paraqit asnjë kandidaturë nga partitë politike.
Në një fjalë përshëndetëse pas procesit të votimit, Meta, iu ka bërë thirrje politikanëve në Shqipëri që të punojnë për stabilitetin e vendit.
"Ka kohë për të krijuar atmosferë krejtësisht tjetër për zgjedhjet e ardhshme në mënyrë që më 24 korrik, ditën kur presidenti të betohet jo vetëm kjo sallë të jetë plot por që Shqipëria të jetë më e qetë se sa sot, por dhe me një të ardhme akoma më solide", u shpreh Meta.
Kush është Ilir Meta
Ilir Meta aktualisht është kryetari i Kuvendit të Republikës së Shqipërisë, i zgjedhur në këtë post në shtator të vitit 2013. Meta ka mbajtur postin e kryeministrit të Shqipërisë në vitet 1999-2002 dhe disa poste ministrore.
Ai ka qenë deputet në të gjitha legjislaturat që nga 22 marsi i vitit 1992 e deri tani dhe mban edhe postin e kryetarit të Partisë Lëvizja Socialiste për Integrim, që është pjesë e koalicionit qeverisës.
Ka lindur në Skrapar më 24 mars 1969 dhe ka studiuar për Ekonomi Politike pranë Fakultetit të Universitetit të Tiranës, ku ka ndjekur studimet universitare dhe pasuniversitare.