BALLKANI

Greqi, shiten në mënyrë të paligjshme pronat e vakëfit

Sipas një njoftimi zyrtar në të cilin AA kishte qasje, një parcelë tokësore prej 34.000 metrash katrorë që i përket vakëfit, do të shitet më vonë këtë muaj në një ankand

Fatih Hafız Mehmet  | 20.01.2019 - Përdıtësım : 21.01.2019
Greqi, shiten në mënyrë të paligjshme pronat e vakëfit

Ankara

ANKARA (AA) – Pronat e vakëfit islam në ishullin grek Kos janë duke u shitur në mënyrë të paligjshme, deklaroi për Anadolu Agency (AA) kreu i Shoqatës për Kulturë dhe Solidaritet të Turqve të Rodosit, Kosit dhe Dodekanesit, Mustafa Kaymakçı.

Sipas një njoftimi zyrtar në të cilin AA kishte qasje, një parcelë tokësore prej 34.000 metrash katrorë që i përket vakëfit, do të shitet më vonë këtë muaj në një ankand.

Kaymakçı thotë se një tokë e madhe në Kos do të shitet në ankand më 31 janar.

"Në Kos, në mënyrë të paligjshme do të shitet tokë e vakëfit", thotë Kaymakçı, sipas të cilit ka disa parime ndërkombëtare në lidhje me këtë çështje, të cilat njihen edhe nga Organizata e Kombeve të Bashkuara (OKB).

"Sipas këtyre parimeve, asetet e vakëfit nuk guxojnë të transferohen ose të shiten, megjithatë, Greqia nuk u nënshtrohet tyre", shtoi më tej Kaymakçı.

Siç rrëfen ai, kushtetuta e Greqisë parasheh që fondacionet fetare të përjashtohen nga tatimi në pronë, për çka grupet e krishtera në Greqi nuk paguajnë tatimin në pronë, e cila, megjithatë, u kërkohet fondacioneve turko-islame.

"Asetet e vakëfit nuk mund të shiten apo transferohen. Kjo është porosia jonë për Greqinë”, thotë Kaymakçı, i cili kërkoi që muslimanët të trajtohen në mënyrë të barabartë me të krishterët.

- Xhamitë historike në Rodos dhe Kos janë shndërruar në gërmadha

Kaymakçı thotë se Rodos dhe Kos, dy ishuj që dikur ishin nën administrimin e Shtetit Osman, kanë një trashëgimi mbresëlënëse të arkitekturës osmane.

“Kjo trashëgimi që përfshin xhami, shatërvane, strehimore për të varfërit dhe një bibliotekë, me kalimin e kohës u la pas dore dhe u shkatërrua”, tha ai, duke sqaruar se xhamitë në Rodos dhe Kos janë sjellur në një stad afër shembjes.

Ndonëse Turqia dëshiron të restaurojë këtë trashëgimi të paçmueshme, Greqia e ndalon atë.

Kaymakçı rrëfeu për aktivitetet e Agjencisë Turke për Bashkëpunim dhe Koordinim (TIKA) për restaurimet në Ballkan të projekteve nga periudha osmane, gjë të cilën Greqia nuk e ka lejuar asnjëherë.

"Greqia dëshiron t'i shohë të shembura xhamitë dhe strehimoret për të varfër. Kjo do të thotë se dëshiron të zhduken gjurmët e turqve dhe muslimanëve", tha ai, duke shtuar se krahas kësaj, turqit që jetojnë atje janë të privuar nga mësimi në gjuhën turke, duke e synuar asimilimin e tyre.

"Njëra nga të drejtat themelore të njeriut është e drejta për të mësuar gjuhën amtare, por në ishujt grekë, kjo e drejtë themelore është e ndaluar", përfundoi ai.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.