Fatjon Cuka
17 Shtator 2018•Përditësim: 18 Shtator 2018
TIRANË (AA) - Gjykata e Shkallës së Parë Tiranë ka pranuar kërkesë padinë e trajnerit të Kombëtares së Shqipërisë në Futboll, Christian Panucci, ndaj ish-presidentit të Shqipërisë, Bujar Nishani, transmeton Anadolu Agency (AA).
Punnuci ka paditur në gjykatë Nishanin, për shkak të një statusi në Facebook në muajin maj të këtij viti, ku ish-presidenti i Shqipërisë e quan trajnerin “sharlatan”.
Sipas të dhënave zyrtare të Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, objekti i padisë së riformuluar është “Detyrimi i palës së paditur për të shpërblyer dëmin jopasuror të shkaktuar paditësit, si pasojë e cenimit të nderit, personalitetit dhe reputacionit, në masën njëqind mijë euro. Detyrimi i palës së paditur për të publikuar një përgënjeshtrim”.
Ish-presidenti Nishani ka një afat 30 ditor për të paraqitur deklaratën e mbrojtjes, ndërsa më pas do të vendoset për seancat gjyqësore.
Nishani kishte shkruar në rrjetet sociale: "Panucci një sharlatan që po shkatërron dhe atë që ishte ndërtuar”, pas ndeshjes miqësore të futbollit Kosovë - Shqipëri, e cila përfundoi me rezultatin 3:0, në favor të ekipit të Kosovës.
Christian Panucci është trajner i Kombëtares së Shqipërisë në Futboll, që nga korriku i vitit 2017.