Figen Shaban
20 Prill 2018•Përditësim: 21 Prill 2018
PRISHTINË (AA) - Në kuadër të aktiviteteve që organizohen nga Këshilli Organizativ i Festës së Turqve të Kosovës për 23 Prillin, Ditën e Komunitetit Turk të Kosovës, nxënësit turq nga kryeqyteti i Kosovës, Prishtina, dhe qytetet tjera si Prizreni, Mamusha dhe Doburçani vizituan Kuvendin e Republikës së Kosovës dhe Ambasadën e Republikës së Turqisë në Prishtinë, raporton Anadolu Agency (AA).
Rreth 130 nxënës të cilët mësojnë në gjuhën turke nga tetë shkollat fillore në Prishtinë, Prizren, Mamushë dhe Doburçan u pritën në Kuvendin e Kosovës nga Kryetari i Partisë Demokratike Turke të Kosovës (KDTP) dhe ministri i Administratës Publike të Kosovës, Mahir Yağcılar.
%2F20180420_2_29934571_32900644.jpg)
Yagcilar i përshëndeti fëmijët e pranishëm duke uruar atyre 23 Prillin. Fëmijët gjatë vizitës në Kuvend patën rastin që të shohin edhe sallën kryesore të Kuvendit të Kosovvës ku mbahen seancat parlamentare si dhe salla të tjera në të cilat mbahen mbledhjet parlamentare.
Fëmijët së bashku me mësueset e tyre vizituan edhe Ambasadën e Republikës së Turqisë në Prishtinë. Ambasadorja e Turqisë në Prishtinë, Kıvılcım Kılıç, i ftojë ata në zyrën e saj ku zhvilluan një bashkëbisedim për festën e fëmijëve dhe të komunitetit turk të Kosovës. Fëmijët në zyrën e ambasadores recituan poezi dhe himnin kombëtar të Turqisë.
Në një deklaratë për media, ambasadorja Kilic tha se nuk kanë pritur më parë në ambasadë një delegacion më të mirë se delegacioni i sotëm i fëmijëve.
"Në kuadër të Ditës së Komunitetit Turk të Kosovës, fëmijët turq na vizituan sot. Kaluam një ditë shumë të hareshme, shumë të bukur, por edhe ishim shumë të emocionuar. Ishte një ditë ku ata u njohën me njëri tjetrin dhe shprehën mendimet e tyre për 23 Prillin- Festën e Turqve të Kosovës me anë të poezive, këngëve e himneve", tha Kilic.
%2F20180420_2_29934571_32900649.jpg)
Duke shprehur dëshirën që komuniteti turk të vazhdojë të veprojë bashkërisht në solidaritet Kilic tha se janë krenarë që në dhjetë vjetorin e kësaj Feste, komuniteti turk me praninë e tij në Kosovë vazhdon të mbetet zëri i gjuhës dhe kulturës turke me shekuj.
"Natyrisht se komuniteti turk i Kosovës është ura më e vlefshme e jona që forcon lidhjet në mes të Turqisë dhe Kosovës. Sigurisht se të gjitha komunitetet janë të vlefshme për ne, por dua të nënvizoj se për ne ka shumë rëndësi që komuniteti turk në Kosovë të ketë prosperitet dhe të jetë aktiv në secilën sferë të kësaj shoqërie", tha ajo.
Ndryshe, në kuadër të të drejtave të komuniteteve në Kosovë, të garantuara me kushtetutë, 23 prilli është pranuar si Dita Kombëtare e Turqve të Kosovës. Kjo ditë sivjet shënon dhjetë vjetorin dhe festohet tradicionalisht çdo vit që nga viti 2009. Rëndësia e veçantë e datës 23 prill është se në këtë datë në Turqi festohet Dita Kombëtare e Sovranitetit dhe e Fëmijëve të Republikës së Turqisë.
Gjatë javës së 23 prillit kjo festë shënohet me programe të pasura kulturore, artistike nga komuniteti turk në Kosovë.