Alma Çekovic
23 Korrik 2017•Përditësim: 23 Korrik 2017
SARAJEVË (AA) – Anëtarët e Kryesisë së Bosnjë e Hercegovinës (BeH), Bakir Izetbegoviç dhe Mlladen Ivaniç kanë biseduar me kryeministrin e Republikës së Maqedonisë Zoran Zaev dhe konstatuan se mes dy vendeve mike dhe të afërta nuk ka çështje të hapura dhe se marrëdhëniet politike janë jashtëzakonisht të mira, raporton Anadolu Agency (AA).
Në delegacionin e Maqedonisë kanë qenë pesë ministra të Qeverisë së kryeministrit Zaev, ndërsa gjatë takimit u paralajmërua hapja e linjës së drejtpërdrejt ajrore mes Sarajevës dhe Shkupit si dhe firmosja e një varg marrëveshjesh, siç janë njohja e patent shoferëve dhe kalimi i kufirit me letërnjoftim.
Bashkëfolësit këtë e vlerësuan si bazë për avancim të mëtutjeshëm të bashkëpunimit ekonomik dhe shkëmbimit tregtar mes dy vendeve.
Kryeministri Zaev i njoftoi anëtarët e Kryesisë së BeH-së me situatën aktuale socio-politike në vendin e tij dhe rrugën e saj euroatlantike për të cilën vlerësoi se nuk ka alternativë.
Anëtarët e Kryesisë shprehën kënaqësi për formimin e Qeverisë së re dhe stabilizimin në Maqedoni, duke konsideruar se në këtë mënyrë është dërguar porosi e rëndësishme në mbarë rajonin se ka mundësi të bëhet hapërim serioz drejt stabilitetit dhe prosperitetit të qytetarëve të saj, njoftohet nga Kryesia e BeH-së.