"Studimet në Universitetin e New Yorkut në Tiranë, eksperiencë shumë e vyer"
Për Anadolu disa nga studentët e diplomuar në UNYT tregojnë eksperiencën e tyre në këtë universitet dhe shprehin vlerësimet e tyre për cilësinë dhe mbështetjen nga stafi i universitetit.

Tiranë
TIRANË (AA) - Universiteti i New Yorkut në Tiranë (UNYT), universiteti i Fondacionit Turk Maarif, organizoi më 3 korrik ceremoninë e diplomimit për qindra studentë.
Për Anadolu disa nga studentët e diplomuar në UNYT tregojnë eksperiencën e tyre në këtë universitet dhe shprehin vlerësimet e tyre për cilësinë dhe mbështetjen nga stafi i universitetit.
- "Ka qenë një eksperiencë shumë e vyer"
Fabjola Musta, 21-vjeçe, është diplomuar për administrim biznesi dhe studimet në UNYT i konsideron si një eskperiencë shumë të vyer.
"Ka qenë një kënaqësi shumë e madhe që të isha pjesë e këtij universiteti dhe të ndaja gjithë këtë kohë bashkë më stafin, bashkë me të gjithë pedagogët. Ka qenë një eksperiencë shumë e vyer. Ajo që do të vlerësoja më së shumti në këtë universitet patjetër ka qenë së pari afërsia që pedagogët kanë pasur me ne", tha ajo.
Duke e konsideruar si të çmuar eksperiencën e saj në UNYT, ajo tha se "Patjetër që gjithë edukimi që unë kam marrë këtu qoftë nga ana akademike dhe qoftë rritja që unë kam pasur si individ do të jetë shumë e rëndësishme në të gjithë etapat e jetës time".
- "Kam një vlerësim maksimal për universitetin e UNYT-së"
Marjo Çeço, 21-vjeç, i cili ka studiuar për inxhinieri softueri thekson se Universiteti i New Yorkut është një ndër universitetet më të mira në Shqipëri, sipas tij për sa i përket dhe diçka unike që ofron si universitet, siç është diploma e ofruar në bashkëpunim me Empire State College,që gjithashtu njihet dhe në SHBA.
"Sigurisht nuk kisha zgjedhje tjetër përveç Universitetit të New Yorkut sepse ofronte programet më të mira të mundshme dhe një përgatitje për tregun e punës. Ka qenë një eksperiencë e paharrueshme. Stafi akademik për mua merr një vlerësim maksimal duke qenë të pranishëm pranë çdo lloj situate me studentët", tha ai.
Çeço theksoi se ka një vlerësim maksimal për UNYT-në dhe se ua sugjeron të gjithë maturantëve. "Mendoj se ky shkollim do të jetë një investim i sigurt që unë kam bërë për të ardhmen në jetën time", tha ai.
-"Ishte zgjedhja më e duhur që kam bërë në jetën time"
Sabrina Bellsiku, 21-vjeçe, ka studiuar për psikologji, ndërkohë ajo shprehet se ishte zgjedhja më e duhur që ka bërë në jetën e saj për të studiuar në UNYT.
"Eksperienca në Universitetin e New Yorkt ka qenë fantastike, ishte zgjedhur më e duhur që kam bërë në jetën time për shkak se universiteti është shumë i mirë, diploma që ofron është e dyfishtë dhe ku ka më mirë se të studiosh në gjuhë të huaj, duke mos lëvizur nga vendi jot", tha ajo.
Ajo thekson se si eksperiencë është shumë e vlefshme dhe shton se të kesh pjesë të jetës 3 vite baçelor në një universitet që ofron studime në gjuhë të huaj është një risi dhe është një gjë tepër ndihmuese për të ardhmen e saj.
- Rreth UNYT
UNYT është universiteti i parë privat në Shqipëri i themeluar në vitin 2002 dhe që nga viti 2018 administrohet nga Fondacioni Turk Maarif.
Programi në baçelor zhvillohet në anglisht dhe është i vetmi institucion arsimor në Shqipëri që ofron diploma të dyfishta (amerikane dhe shqiptare) për programet baçelor në bashkëpunim me Universitetin Shtetëror të New Yorkut/Empire State College në SHBA.
UNYT është i përbërë nga tre fakultete, si Fakulteti i Ekonomisë dhe Biznesit, Fakulteti i Inxhinierisë dhe Arkitekturës, Fakulteti i Drejtësisë dhe Shkencave Shoqërore, si dhe nga Instituti i Studimeve Evropiane dhe Ballkanike. Në UNYT arsimohen 1.200 studentë nga 38 kombe të ndryshme.