Ivana Ramadanova
28 Qershor 2017•Përditësim: 29 Qershor 2017
SHKUP (AА) – Në tryezën e sotme të rrumbullakët “Rregullimi i pjesëmarrjes së fëmijëve dhe i të rinjve në legjislativën arsimore” në Shkup u promovua iniciativa për ndryshim dhe plotësim të Ligjit për arsim të mesëm në drejtim të integrimit të nxënësve në procesin e vendimmarrjes në procesin arsimor, raporton Anadolu Agency (AA).
Sipas organizatorëve ngjarja e sotme ka për qëllim që të sigurojë diskutim fillestar me deputetët, Avokatin e Propullit dhe organizatat joqeveritare lidhur me sigurimin e pjesëmarrjes së duhur të të rinjve që do të rregullohet me ligj.
“Fakt është se gjendja në Republikën e Maqedonisë me zërin e nxënësve në shkolla është në situatë minore, ku nxënësit nuk kanë të drejtë të shprehen dhe hapësirë që të thonë mendimin e tyre. Kërkesa jonë ka të bëjë me hapjen e procesit me të cilin do të sigurohen ndryshime ligjore në të cilat nxënësit në shkollat e mesme do të kenë të drejtë të marrin pjesë në marrjen e vendimeve nëpër shkolla dhe në të gjitha reformat e sistemit arsimor”, deklaroi drejtori ekzekutiv i koalicionit të organizatave rinore "SEGA", Zoran Ilievski.
Zëvendësja e Avokatit të Popullit Vaska Bajramovska-Mustafa tha se Avokati i Popullit në takimet me filloristët dhe gjimnazistët me vite të tëra konstaton se pjesëmarrja e nxënësve në marrjen e vendimeve në shkolla është në nivel shumë të ulët.
“Në vitin 2016 zhvilluam hulumtim për atë se si është gjendja nëpër shkolla. Rezultatet janë zhgënjyese. Vetëm në 61 shkolla të mesme ka njëfarë forme të shoqatës së gjimnazistëve, megjithatë pjesëmarrja e fëmijëve në vendimmarrje mungon. Fëmijët zgjedhin kryetarët e tyre të klasave që i përfaqësojnë në shkollat por përfaqësimi i tyre është vetëm deri te disa të drejta të caktuara ose çështje, ndërsa aty ku krijohen politikat nxënësit nuk janë”, tha Bajramovska-Mustafa.
Ngjarja e sotme u organizua nga ana e Koalicionit të Organizatave Rinore “SEGA” në partneritet me Forumin Rinor Arsimor dhe Ambasadën e Parë Fëmijore në botë “Megjashi”.