Kerem Kocalar
28 Shtator 2016•Përditësim: 28 Shtator 2016
GAZIANTEP/HALEP (AA) – Zilet e shkollës shënuan fillimin e vitit të ri shkollor në qytetin verior sirian Jarabulus, i cili u çlirua kohët e fundit nga organizata terroriste DAESH, raporton Anadolu Agency (AA).
Fillimi i vitit shkollor në qytetin ndërkufitar Jarabulus u mundësua falë mbështetjes së Turqisë, pasi që qyteti u çlirua nga DAESH-i në operacionin "Mburoja e Eufratit", i cili u mbështet nga Forcat e Armatosura të Turqisë dhe forcave ajrore të koalicionit si dhe në bashkëpunim me forcat opozitare të Ushtrisë së Lirë Siriane.
Komuna turke Kecioren ka financuar restaurimin e shkollës "Shehid Sandik Handavi", e cila është një nga shkollat më të vjetra në Jarabulus, e cila u bë e njohur për opinionin e gjerë botërorë se terroristët e DAESH-it kishin vendosur mina tokësore, madje edhe në tualetet e saj.
Nxënësve të kthyer në shkollë u janë ndarë rroba dhe këpucë të reja. Nxënësit të cilët u pajisën me mjete shkollore sërish u ulën në bankat shkollore, që është edhe një tjetër tregues se jeta në Jarabulus po i kthehet normalitetit.
Mësuesja Aliye Hamden është gjithashtu njëra nga të kthyerit në Jarabulus, e cila pas sulmeve të DAESH-it kishte ikur në Turqi.
"Pas çlirimit u ktheva nga Gaziantepi në qytetin tim Jarabulus. Ky vend ka vuajtur shumë dhe shkollat u shkatërruan. Qyteti është plaçkitur, por si gjithmonë, vëllezërit nga Turqia edhe kësaj radhe zgjatën dorën e miqësisë", tha mësuesja Hamden.
Duke theksuar se nuk mund të përshkruaj me fjalë gëzimin e kthimit në shkollë, Hamdan tha se sot do të njoftohet me nxënësit ndërsa nga dita e nesërme do të nisin me mësimet, sepse nxënësit një periudhë të gjatë kanë munguar dhe shumë materiale janë grumbulluar.
Tekin Baser, zëvendës/shefi i Kecioren, tha se i gjithë mundi është shpaguar, kur fëmijët me të qeshurat dhe lojërat e tyre mbushën oborrin e shkollës së restauruar.