Admir Fazlagikj
02 Qershor 2017•Përditësim: 03 Qershor 2017
SHKUP (АА) – Ministria e Arsimit dhe Shkencës e Maqedonisë (MASH) sot njoftoi se me miratimin e ndryshimeve të Ligjit për arsim fillor, Ligjit për arsim të mesëm dhe Ligjit për mësimdhënës në shkollat fillore dhe të mesme hiqet testimi ekstern, transmeton Anadolu Agency (AA).
“Kuvendi i Republikës së Maqedonisë dje miratoi Ligjin për ndryshimin e Ligjit për arsim fillor, Ligjit për ndryshimin e Ligjit për arsim të mesëm dhe Ligjit për ndryshimin e Ligjit për arsimtarë në shkollat fillore dhe të mesme me të cilat hiqet testimi ekstern”, theksohet në njoftim.
Nga MASH theksojnë se ndryshimet e ligjeve janë shpallur në “Gazetën Zyrtare të Republikës së Maqedonisë” nr.67, më 1 qershor viti 2017, duke hyrë në fuqi.
“Me këto ndryshime ligjore është hequr testimi ekstern dhe nuk do të zbatohet. Ndërpriten të gjitha procedurat e filluara me zbatimin e testimit ekstern të kontrollimit të njohurive të nxënësve”, thuhet në njoftim.
Testimi ekstern u vendos në vitin shkollor 2012/2013 me qëllim që të kontrollohet objektiviteti i arsimtarëve gjatë vlerësimit të suksesit të nxënësve.