Fatjon Cuka
08 Qershor 2017•Përditësim: 09 Qershor 2017
TIRANË (AA) - Zëvendësministrja e Arsimit dhe Sportit e Shqipërisë, Nora Malaj, në cilësinë e kryetares së Komitetit të Maturës Shtetërore, në një konferencë për mediat ka folur mbi procesin e provimeve të maturës në Shqipëri, raporton Anadolu Agency (AA).
Provimi i parë i maturës shtetërore ishte ai i gjuhës së huaj që u zhvillua më 5 qershor, ku morën pjesë 37 mijë maturantë në 189 qendra provimi.
Sipas zëvendësministres Malaj, Ministria e Arsimit dhe Sportit ka bashkëpunuar edhe me strukturat e Policisë së Shtetit për mbarëvajtjen e procesit të provimit.
"Sot ka filluar procesi i korrigjimit të provimit të gjuhës së huaj. Masat në rast moszbatimit të rregullores do të jenë shumë të rrepta duke u mbështetur në nevojën dhe domosdoshmërinë që provimet të kryhen me standarde, që maturantët të marrin vlerësimin e duhur. Administratorët të jenë pjesë e kontributit për të garantuar standardet", theksoi Malaj.
Zëvendësministrja e Arsimit dhe Sportit e Shqipërisë ju ka bërë thirrje nxënësve që të respektojnë rregulloren e maturës shtetërore, sipas saj për të shmangur penalitetet ndaj tyre.
Provimi i dytës i maturës shtetërore që është ai i gjuhës shqipe dhe letërsisë është të shtunën e kësaj jave, ndërsa dy provimet e fundit janë në datat 15 dhe 24 qershor.