Fatjon Cuka
13 Shtator 2016•Përditësim: 14 Shtator 2016
TIRANË (AA) - Maturantë nga disa qytete të Shqipërisë kanë protestuar përsëri sot para godinës së Kryeministrisë në Tiranë, duke kundërshtuar listën paraprake të fituesve në universitete, raporton Anadolu Agency (AA).
Lista e fazës së parë të fituesve në universitete e vendit ka shkaktuar pakënaqësi në radhët e maturantëve në Tiranë, por edhe në qytetet e tjera të vendit. Qindra maturantë pretendojnë se edhe pse kanë patur rezultate të larta në përfundim të shkollë së mesme, nuk kanë arritur të shpallen si fitues.
Dhjetëra maturantë që kanë protestuar përpara godinës së Kryeministrisë në Tiranë janë mbështetur edhe nga disa aktivistë të shoqërisë civile, duke kundërshtuar listën e fituesve në universitete.
Maturantë të cilat mbanin në duar pankartat me mbishkrimet "Ne jemi e ardhmja, mos na e mohoni arsimin" dhe "Universiteti i studentëve, jo i klientëve", kanë kërkuar ndërhyrjen e institucioneve shtetërore që të klasifikohen në listën e fituesve.
Maturantët protestues kërkojnë ndryshimin e sistemit të pranimeve në universitete dhe i bëjnë thirrje Ministrisë së Arsimit dhe Sportit që të ndërhyjë në këtë proces, për normalizimin e situatës.
Në protestën e zhvilluar sot në Tiranë kanë marrë pjesë edhe maturantë nga qytete të tjera të Shqipërisë, të cilët nuk kanë rezultuar fitues në fazën e parë të procesit të pranimeve në universitete.
Ndërkohë gjatë kohës që zhvillohej protesta, Kryeministri I Shqipërisë, Edi Rama dhe ministrja e Arsimit dhe Sportit, Lindita Nikolla kanë zhvilluar një takim me një grup maturantësh ekselentë, duke i sqaruar për procesin pranimeve në universitete e vendit, por edhe për risitë e reformës në arsimin e lartë.