Fatjon Cuka
13 Shtator 2016•Përditësim: 14 Shtator 2016
TIRANË (AA) – Sot në të gjithë Shqipërinë ka filluar procesi mësimor për vitin shkollor 2016-1017 në sistemin parauniversitar, raporton Anadolu Agency (AA).
Janë 392 mijë nxënës që do të ulen në bankat e shkollës, ku 27 mijë prej tyre fillojnë klasën e parë.
Zyrtarët e lartë të vendit, duke përfshirë edhe ministra të kabinetit qeveritar kanë vizituar shkolla të ndryshme të vendit për të uruar nxënësit dhe mësuesit për fillimin e vitit të ri shkollor.
Një urim për fillimin e vitit të ri shkollor ka ardhur nga ministrja e Arsimit dhe Sportit, Lindita Nikolla, ku ajo shprehet se do të bëhet më shumë për të mbështetur nxënësit.
“Është një ditë e veçantë për 27 mijë vogëlushë që nisin rrugëtimin me dijen. Për 392 mijë djem e vajza që i drejtohen shkollës. Për 30 mijë mësues dhe edukatorë që, po ashtu, tashmë kanë përfunduar me përgatitjet e orarit, planeve mësimore e klasave. Bashkohem edhe unë me disa kolegë, për të uruar të gjithë ju”, thuhet në mesazhin e urimit të ministres Nikolla drejtuar mësuesve dhe nxënësve.
Ndërkohë ministri i Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, Blendi Klolsi ka vizituar qytetin e Beratit për të ndjekur nga afër fillimin e procesit mësimor, ndërsa kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj ka vizituar disa shkolla në kryeqytet, mes tyre edhe shkollën "1 Maj".
Ambientet e shkollës 9-vjeçare "1 Maj" në Tiranë u vizituan sot nga kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, ministri i Punëve të Jashtme, Ditmir Bushati dhe zëvendësministrja e Arsimit dhe Sportit, Nora Malaj. Veliaj theksoi se viti i parë i mandatit të bashkisë iu kushtua tërësisht më të vegjëlve të qytetit. “Ky ka qenë një vit me fokus te fëmijët, me çerdhet, kopshtet dhe shkollat. Nëse në familjet tona fëmijët janë gjëja më e shtrenjtë, atëherë pse jo në qytetin tonë, në këtë familje të madhe, të mos jenë fëmijët të parët. Besoj se e kemi treguar me vepra që kështu ecim përpara”, tha Veliaj.
Ai bëri të ditur se veç kësaj shkolle, gjatë verës bashkia ka ndërhyrë për të riparuar rreth 200 shkolla, ndërsa theksoi se një pjesë e tyre kanë ambiente dhe terrene sportive të shtuara.