Cansu Dikme
15 Qershor 2017•Përditësim: 15 Qershor 2017
ANKARA (AA) - Zëvendëskryeministri turk, Numan Kurtulmus, deklaroi se kriza aktuale midis shteteve të Gjirit është "artificiale", raporton Anadolu Agency (AA).
"Nuk ka një krizë midis dy shteteve ose një shteti dhe të tjerëve në rajonin e Gjirit, që është e bazuar në një shkak të vërtetë. Kjo është një mosmarrëveshje e fabrikuar dhe artificiale”, tha Numan Kurtulmus në një iftar të shtruar për gazetarët.
“Secili e sheh potencialin që ka kjo krizë për tu shndërruar në një krizë më të madhe”, tha ai për të shtuar se kjo krizë mund të prekë edhe shtetet fqinje.
I pyetur nëse nismat e Turqisë për të zgjidhur krizën mund të trajtohet si ndërmjetësim, zëvendëskryeministri turk tha “nëse në të ardhmen do të nevojitet ndonjë ndërmjetës, atëherë Turqia mund të jetë një i tillë”.
Më 5 qershor, pesë vende arabe, Arabia Saudite, Egjipti, Emiratet e Bashkuara Arabe, Bahreini dhe Jemeni, papritmas ndërprenë marrëdhëniet diplomatike me Katarin, duke e akuzuar Dohën për "mbështetjen e terrorizmit".