Halil Demir
03 Mars 2016•Përditësim: 03 Mars 2016
STAMBOLL (AA) - Sulmueset të cilat kanë kryer sulm mbi stacionin policor dhe autobusin e policisë në Bajrampasha të Stambollit, të cilat më pas u vranë në operacionin e policisë, ishin anëtare të organizatës terroriste DHKP/C. Ato u identifikuan si Cigdem Yaksi dhe Berna Yilmaz, raporton Anadolu Agency (AA).
Organizata terroriste DHKP-C, e cila në gusht të vitit 2015 kishte kryer sulm ndaj konsullatës amerikane në Stamboll, qëndron pas një numri të sulmeve terroriste në territorin turk nga vitet e gjashtëdhjeta e këtej.
Guvernatori i Stambollit Vasip Sahin u prononcua të enjten në lidhje me sulmin në Stamboll se dy sulmueset, anëtare të ndonjërës nga organizatat terroriste, u likuiduan gjatë operacionit policor, dhe se gjatë ndjekjes dhe sulmit dy policë janë plagosur lehtë.
Policia turke ka neutralizuar dy gra që kanë kryer sulmin këtë mëngjes në një stacion policie në lagjen Bajrampasha të Stambollit.
"Pas kësaj në operacionin e policisë janë neutralizuar dy gra, terroriste. Hetimi rreth asaj se me kë kanë bashkëpunuar, apo cilës organizatë terroriste i përkasin vazhdon ende. Në sulm, dhe më vonë gjatë operacionit u plagosën dy policë, të cilët janë në gjendje të mirë", ka thënë Sahin.