Ahmet Gürhan Kartal
15 dhjetor 2016•Përditësim: 15 dhjetor 2016
LONDËR (AA) – Në takimin ndërkombëtar i cili ka filluar të enjten në Londër edhe me pjesëmarrjen e Turqisë, po shqyrtohet përparimi i aritur në luftën kundër DEASH-it, raporton Anadolu Agency (AA).
Në takim janë të përfaqësuara 14 shtete, ndërkohë që Turqinë e përfaqëson ministri i Mbrojtjes, Fikri Işık.
Gjatë një fjalimi të tij të mërkurën në Londër, Işık tha se “është detyrë e çdo muslimani të përballet me DEASH-in, ndërkohë që për organizatën terroriste tha se është armiku më i madh i muslimanëve".
Ndërkohë pritet që Işık të enjten të mbajë një takim sy më sy me Sekretarin britanik të Mbrojtjes, Michael Fallon dhe më vonë edhe Sekretarin amerikan të Mbrojtjes, Ash Carter.
I paraqitur si një takim për thellimin e bashkëpunimit në mesin e forcave anti-DEASH, deklarata e qeverisë së Britanisë së Madhe tha se takimi ka patur në theks zhvillimet në Mosul të Irakut dhe Rakka të Sirisë.
Në të thuhet se avionët luftarakë britanikë kishin shkatërruar pozicionet e DEASH-it rreth Mosulit dhe se forcat qeveritare irakiane kanë vazhduar të avancojnë në lindje të qytetit.
Qeveria britanike tha se kishte kontribuar në përpjekjet për të hapur një front të dytë në Rakka që është i ashtuquajturi kryeqyteti i DEASH-it.
Sekretari britanik i Mbrojtjes, Fallon tha se Britania është duke luajtur një rol udhëheqës në luftën kundër DEASH-it.
"Në vitin 2017 do të duhet të mbajmë vrullin për t'u dhënë terroristëve goditjen përfundimtare", tha ai.